PRISHTINE, 14 prill 2013– Kreu i PS-së, Edi Rama është ndalur pasditen e sotme në Prishtinë, në takimin me temë “Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit”.
“Pas 23 qershorit duam të japim shpejtësi të re anëtarësimit në BE, por të mbështesim Kosovës për vizat, 5 njohjet e mbetura pezull. Kosova nuk duhet të paguajë çmimin e azilkërkuesve serbë e maqedonas, ata nuk e meritojnë të qëndrojnë të izoluar nga bota”- tha Rama gjatë takimit në bibliotekën e qytetit.
Rama ka deklaruar se PS refuzon dhe i le për në arkiva retorikat nacionaliste. “Ne refuzojmë sot dhe pas 23 qershorit do t’ia lemë arkivave retorikën e vjetër nacionaliste që ka përfshirë edhe qeverinë tonë që tenton të mbulojë dështimet duke u shfaqur si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon”- tha ai.
Sipas tij, në esencë bashkimi ka ndodhur. Rama ka vlerësuar domosdoshmërinë e përqasjes së legjislacionit në të dy kahjet, në të mirë të integrimit dhe shkuarjes bashkërisht të bashkuar në BE.
Në të njëjtën kohë Rama ka garantuar një politikë të re, zgjerim të marrëdhënieve në mbështetje të Kosovës dhe Shqipërisë.





