Tiranë, 5 korrik 2014 – Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga ambasadorët shqiptarë të jenë aktivë për rikrijimin e profilit të Shqipërisë. Ai paralajmëroi rilindje të figurës së Ambasadorit, përmirësim të kushteve të punës e të pagës, si dhe dhënie fund të emërimeve të kushërinjve, farefisit dhe militantëve politikë në ambasadat shqiptare. 

I pranishëm në Konferencën e Ambasadorëve Rama theksoi se tashmë që Ballkani jeton në një periudhë paqeje ka ardhur koha që shqiptarët të ndryshojnë imazhin e Shqipërisë në botë. 

Rama theksoi se diplomatët e vendosur nga mazhoranca e shkuar ishin përfshirë në një operacion të dëmtimit të opozitës. Sipas tij, me ardhjen e qeverisë së re kryetari i opozitës dhe kryeministri i vendit janë të barabartë në portofolin diplomatik.

“Diplomatët në vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-së ishin përfshirë me hir apo pahir në një operacion dëmtimi të imazhit të opozitës. Do mbetet si një nga momentet e mia të trishtuara debati në gjuhët të huaj dhe mes shumë të huajsh me një ambasador i cili recitonte refrenin e luftës anti- opozitare duke më penguar të komunikojë me mikëpritësit. Një turp i pashembull për trupin diplomatik në Shqipëri. E keni dëgjuar atë fjalën; ambasadori është njeriu i ndershëm që gënjen për të mirën e vendit të vet? Ndihem mirë që nuk ndihem më keq për ju sepse dua ta them, që kur kam ardhur në këtë vend, vendi i kryetarit opozitës në protokollin diplomatik është bërë i barabartë me të kryeministrit. Që kur ka ndryshuar qeveria ka ndryshuar shkalla e respektit të shtetit për figurën e ambasadorit.”-u shpreh Rama.

Ai theksoi se shërbimi diplomatik do të shoqërohet me ndryshime transformuese dhe se në një moment kur rajoni është në paqe Shqipëria duhet të punojë për të ndryshuar imazhin e vjetër. 

Rama theksoi se ambasadat shqiptare duhet të jenë të vëmendshme ndaj politikave evropiane. Sipas tij marrja e statusit kandidat ishte rrjedhojë e punës së bërë për ndryshimin imazhit.

“Ne më shumë se shumë të tjerë kemi një nevojë jetike për të shfrytëzuar çdo potencial tonin kudo që ndodhet për të krijuar një imazh tjetër. Ambasadat tona kanë një rol të pa zëvendësueshëm. Marrja e statusit më duket shembulli më i afërt i asaj çfarë sjell ndryshimi i imazhit. Besoj se ndër të tjera dhe më shumë se për të tjerat ishte fillimi i ndjeshëm i ndryshimit të imazhit dhe lidhja e një imazhi të ri në krijim me një punë transformuese që solli marrjen e statusit”-theksoi Rama. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/