Kryeministri Edi Rama komentoi sot gjatë konferencës për median edhe çështjen e dosjes së vartëses së tij, zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur dhe me masë sigurie shtrënguese nga SPAK e GJKKO për abuzime me tenderimet e Tunelit të Llogarasë në Vlorë dhe Unazës së Madhe në Tiranë.
Ai e mori përsëri në mbrojtje ministren për të cilën po kërkohet edhe heqja e imunitetit në Parlament nga organi i akuzës, duke thënë se SPAK duhet të japë prova dhe argumente konkrete pse personi i dyshuar prish provat apo intimidon dëshmitarët.
“Çfarë është kjo që në një vend që do të bëhet anëtar i BE-së individi të mos ketë të drejtën e një gjyqi. Çfarë thotë KE? Se në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme dhe pa arsyetim se pse duhen vendosur. Dhe ka shprehje se ekziston rreziku për prishje provash apo arratisje, këto janë kot. Duhet argumentuar çdo masë. Duhet të thuash konkretisht për atë, çfarë provash e dyshimesh ke për të, jo kot intimidon vartësit. Duhet ta argumentosh çdo dyshim që ti ke”, tha Rama mes të tjerash, jo duke e përmendur emrin e zyrtares së lartë, por duke e nënkuptuar në dinamikën e përgjigjes për pyetjen që iu bë nga gazetarët.
Ai kritikoi drejtësinë në mënyrën se si i ndjek penalisht të dyshuarit me masa tejet shtrënguese, që i ka vënë në dukje sipas tij edhe Këshilli i Evropës. Lidhur me komentin më sipër, ai shtoi se në Shqipëri ka të dyshuar të dënuar pa u dënuar.
“Kjo është ajo që bëjnë penxheret mediatike dhe politike. Në Shqipëri ka të dënuar pa u dënuar qysh në momentin kur dyshohen. Shqipëria e ka kaluar një herë këtë traumë. Çfarë tregon kjo? Që probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dyshuar, është më i lartë se të gjendesh atje si i dënuar. Këshilli i Evropës ka bërë një raport të tërë, dokument i tërë për këtë gjë”, tha kreu i qeverisë.
Më tej shefi i ekzekutivit nënvizoi se këta njerëz kalojnë një kalvar të gjatë pasi bëhen të dënuar pa u bërë gjyqi.
“Kalojnë një kalvar të gjatë, s’po flas për ato të penxhereve, nuk merrem fare me to, por them për ata që kalojnë të gjitha kalvaret, në fund ose u kalojnë afatet e paraburgimit, ose dalin të pafajshëm”, u shpreh Rama.





