Kryeministri Rama në vazhdën e takimeve me pensionistët ishte dje në Korçë, ku ironizoi opozitën për të cilën tha se nuk ke ku ta gjesh për të bërë debat.

Rama u shpreh se do të dëgjojë edhe pensionistët, duke u kërkuar që të mos shajnë. “Vetëm te Fevziu shahet”, i tha një pensionist, ndërsa Kryeministri u shpreh se Fevziu është i vetmi që mund të bësh debat.

“Fevziu të na rrojë sa malet se e kemi të vetmin që mund të bësh debat. Ai është opozita, të tjerët për debat s’ke ku i gjen. Ku t’i gjesh? Është e vetmja opozitë me të cilën mund të bësh debat. Po të mos jetë Fevziu, ku ta gjesh opozitën që të bësh debat? Duhet të shkosh o në ndonjë udhëkryq, në rrugë të presësh natën që të gjesh ndonjë që të bësh debat. O duhet të kapesh pas ndonjë tubi të ujërave të bardha të ngjitesh në kat të tetë për të bërë debat”, – tha Rama nga Korça. Sipas tij, një skemë pensionesh e ndërtuar keq është kostoja e një brezi të tërë.

“Skema e pensioneve që ne trashëguam ishte një skemë skandaloze, e menduar për të shtyrë të sotmen, pa menduar për të nesërmen e pensionistëve. Jam i bindur që kur ne morëm detyrën, situata e pensioneve ishte pa asnjë shpresë sepse ishte vendosur një tavan që ishte 24 mijë lekë dhe pavarësisht se çfarë kontributesh kishin dhënë njerëzit, nuk mund të merrnin më shumë se 24 mijë lekë. Pensioni mesatar në atë kohë ishte 105 euro, pa folur për minimalin që ishte një pension që nuk e merrnin të gjithë, pasi ne gjetëm mijëra pensionistë pa pension fare, sepse nuk kishin kontribuar në skemë asnjë ditë, gra shtëpiake, apo edhe burra që s’kishin dhënë asnjë kontribut”, – tha Rama.

Kryeministri hodhi akuza më tej duke theksuar se ata që premtojnë rritjen e menjëhershme të pensioneve janë maskat e Sudes.

“Sot mund të flasim për mundësi, sepse edhe ky vit është me rritje të ardhurash, por duhet të jemi të vetëdijshëm që kur dalin disa sharlatanë që flasin për rritje të menjëhershme, do ta bëjmë pensionin 400 euro apo një mijë euro, këta janë maskat e Sudes. Maska të njohura dhe më të panjohura të reja, por është Sudja mbrapa. Është fryma antishtet dhe fryma e antisë ardhmes e Sudes, qoftë kur dalin maskat në penxhere në kat të tetë, qoftë kur shfaqen maskat në majë mali me tuta, qoftë kur dalin nëpër dritare të vogla të telefonit apo ekraneve dhe paraqiten si e reja që po vjen, në fakt është Sudja që del bashkë me shpirtin”, – theksoi Rama.

RRITJA E PENSIONEVE

Kryeministri u shpreh se që të rriten pensionet, duhet që të mblidhen sigurimet. Ai gjithashtu tha se me rritjen e jetëgjatësisë, duhet të shikohet edhe koha e daljes në pension. Në këtë kuadër Rama tha se brenda pak ditësh do të bëhet e ditur edhe bonusi që do të përfitojnë pensionistët në fundvit, duke e cilësuar këtë si hapin e parë të skemës që do të pasohet nga rritja e pensioneve.

“Pensionet janë si drejtësia. Asnjë forcë tjetër në këtë vend nuk mund të bënte këtë që po bëhet me drejtësinë, sikundër asnjë forcë tjetër në vend nuk do të mund të bëjnë atë që Partia Socialiste do të bëjë për pensionet”, tha Rama.

Ai theksoi se pensionistët në shumicë mbështesin PS-në, por ka edhe nga ata që mbështesin maskat e Sudes, qofshin 80 apo 30-vjeçare.

“Të paktën ta dinë këtë gjë, pavarësisht se për inatin tonë, shkojnë flenë me maskat e Sudes. Të mos na mohojnë hakun të paktën”, – tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me pensionistët në Korçë, Kryeministri Edi Rama tha se në sektorin e ndërtimit dhe turizmit ka një informalitet sa i takon deklarimit të pagave. Rama tha se në sektorin e ndërtimit nuk ka më paga 500 apo 700 mijë lekë në muaj, sikundër në sektorin e turizmit pagat janë sa në Greqi. Rama paralajmëroi se nuk do të pranohen më deklarime që nuk janë në përputhje me realitetin.

“Do ua rikthejmë për rishikim dhe nëse nuk reflektojnë, atëherë do të përballen me pasojat ligjore dhe penale, pasi ne e konsiderojmë si vjedhje të pensioneve”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se nga pagat e rritura në sektorin publik marrim më shumë sigurime shoqërore, por shtoi se pasi u rritën kontributorët në skemë, ku shumica kanë qenë nga sektori privat tani kemi një rritje të pagave reale, por kemi një fshehje nga ana e sektorëve.

“Nuk ekziston në Shqipëri në ndërtim pagë 500-600-700 euro, nuk ka. Pagat në ndërtim janë mbi 800 euro. Kur sheh pasqyrat që deklarojnë 500-600 euro. Pse? Sepse ne kemi bërë që për pagat deri në 500 euro nuk ka tatim, por ka sigurime shoqërore patjetër. Këta u japin 500 euro në bankë dhe i thonë na dhe 500 të tjera në dorë. Ja ku u vodh një pensionist, ndërkohë që ky tjetri që i merr këto, i hap vetes gropën kur të dalë në pension. E njëjta gjë ndodh me sektorin e turizmit. Pagat në turizëm janë paga si në Greqi, prandaj dhe këtë vit kemi parë fillim të një trendi kthimesh nga Greqia”, – tha Rama.