Nesër në Gjakovë ishte caktuar një mbledhje e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, në kuadër të mbledhjeve të tilla për të rritur bashkëpunimin mes dy shteteve.
Mediat e Kosovës raportojnë se mbledhja është anuluar duke iu referuar burimeve të qeverisë shqiptare, të cilat kanë thënë se “nuk kishin ndërmend të udhëtonin nesër drejt Prishtinës”.
Ndërkohë, lajmi u konfirmua edhe nga kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, në të cilën tha se nuk ishin dakordësuar me kryeministrin Kurti për zhvillimin e kësaj mbledhjeje.
Ky është një zhvillim i rendësishëm që çan edhe më tepër marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës pas tallazeve të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.
Rama dhe Kurti kanë patur një marrëdhënie të vështire me njeri-tjetrin që prej fillimit, e cila u përkeqësua në momentin kur VV hapi degën në Tiranë duke rivalizuar politikisht Rilindjen, mirëpo situata duket se është ndezur fill pas tensioneve në veri të Kosovës, ku kryeministri Rama mbajti qendrime diametralisht të kundërta.
Ndërkohë që Kurti dërgoi forcat speciale në veri për të mundësuar vijimin e punës së kryebashkiakëve shqiptarë të zgjedhur, Rama mbajti një qendrim diametralisht të kundërt me kryeministrin e Kosovës duke kërkuar prej tij që të dëgjonte ndërkombëtarët, gjë e cila dukshëm mërziti kryeministrin e Kosovës dhe deputetët e VV-së.