Tashmë edhe ata që janë në kërkim të një pune mund të shkruajnë në portalin e bashkëqeverisjes. Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e platformës dhe qytetarë të ndryshëm, kryeministri Edi Rama tha se portali mund të ndihmojë me mundësitë që janë në zyrat e punës, por edhe në kompanitë private.

"Nëse duan një punë, jo një rrogë në shtet, por një punë, atëherë të mos hezitojnë t’i drejtohen Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila përmes koordinatorëve dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të ministrit të Financave dhe Ekonomisë vihet në lëvizje, për t’ju ofruar mundësitë e punës që janë aktualisht në zyrat e punës, por që janë edhe përtej zyrave të punës, me kompani të ndryshme private."