Kryeministri Edi Rama, nga takimi i përjavshëm për bashkëqeverisjen me qytetarët u shpreh se platforma i ka dhënë zgjidhje shumë problemeve. Për të gjithë ata që shajnë platformën kreu i qeverisë kishte një përgjigje:
“Tha njëri këtu që platforma përqeshet, shahet, por të na marrin të keqen në fund të ditës, siç të gjithë mund të na shohin, këtu jemi dhe do jemi në shërbim të qytetarëve”.
Sipas Ramës, platforma ndër të tjera i ka dhënë zgjidhje dhe problemit me rillogaritjen e pensioneve, pasi pensionistët janë më të diskriminuarit nga administrata shtetërore.
“Platforma i jep zgjidhje problemeve të shumta, si rillogaritjes së pensioneve, duke iu ardhur në ndihmë pensionistëve që janë më të diskriminuar nga administrata për shkak se ju duken të dobët dhe pa përkrahje. Falë platformës sot çdo qytetar është i përkrahur drejtpërdrejt nga qeveria. Çdo qytetar duhet t'i drejtohet platformës sepse gjen zgjidhje”.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e platformës dhe mos ngurojnë të shtrojnë problemin e tyre.
“Klikoni te “Shqipëria që duam”, shtroni problemin që keni dhe brenda 10 ditëve do të merrni përgjigje, nëse ju takon, por në të kundërt nëse duhet mund dhe të bëhemi bashkë për të përballuar një strukturë të caktuar”.





