TIRANË, 15 mars 2013– Anëtarja e Kryesisë socialiste, Valentina Leskaj, do të jetë e para në listën e qarkut të Vlorës. Dje, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dhënë fund çdo mëdyshjeje për zonën se ku do të kandidonte Leskaj, edhe pse ditët e fundit në PS flitej për disa opsione.
Gjatë drekës së zhvilluar në qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës, ku Leskaj ka qenë në krah të Edi Ramës dhe Lindës, kryesocialisti i është përgjigjur edhe interesimit që kishte rreth figurës së deputetes së këtij qarku. “Ju e doni që ta keni këtu, sepse njiheni, keni punuar prej vitesh me të dhe keni mundur të fitoni, por në këto zgjedhje Vali na duhet në Vlorë”, është shprehur Rama gjatë drekës, duke i dhënë përgjigje hamendësimeve.
Ditët e fundit, Valentina Leskaj përflitej se mund të kandidohej në qarkun e Korçës ose dhe të Elbasanit, kërkesa këto të bëra edhe nga kryetarët e bashkive të këtyre qyteteve. Mësohet se deklarimi i Ramës për kandidimin e Leskajt në qarkun e Vlorës ka ardhur i papritur për strukturat socialiste në Elbasan, ku Leskaj ka qenë prezente që në 2002-shin si deputete e Parlamentit të Shqipërisë.
Gjatë drekës së djeshme, Rama ka falënderuar të gjithë deputetët e qarkut të Elbasanit të dalë nga zgjedhjet e 2009-s, të cilët vijojnë punën e tyre në zonat që kanë në kujdestari, por asnjë sinjal nuk është dhënë nëse ndonjë prej tyre nuk do të jetë në listën e 23 qershorit.
LËVIZJET
Mësohet se Arben Malaj, deputet i qarkut të Vlorës, do të qëndrojë në këtë qark. Konfirmimi është bërë pas një takimi që Malaj ka pasur me Edi Ramën pak ditë më parë, edhe pse kishte kërkesë që Malaj të kandidonte në një nga zonat e qarkut të Elbasanit, aty ku më parë kanë dalë deputetë Rexhep Meidani dhe Namik Dokle.
Mësohet gjithashtu se konfirmim nga kryesocialisti kanë marrë dhe deputetët aktualë të qarkut të Vlorës, Luiza Xhuvani dhe Fatmir Toçi. Pak ditë më parë Rama, gjatë takimit që zhvilloi në qytetin e Laçit, prezantoi anëtaren e Kryesisë, Mimi Kodheli, si drejtuese të fushatës në qarkun e Lezhës, njëkohësisht dhe në krye të listës së kandidatëve për këtë qark.