Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se marrëveshja me shtetin italian për pensionet për emigrantë po shkon drejt përfundimit.

Në një konference për media së bashku me zëvendëskryeministrin italian, Antonio Tajani në takimin e dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Itali-Shqipëri, Rama tha se më në fund shqiptarët që kontribuojnë në shtetin Italian do të ngrejnë dolli për realizimin e kësaj nisme të rëndësishme.

Sipas tij ata duhen të falenderojnë qeverinë italiane për përfundimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë Italinë dhe kemi kuptuar shumë mirë që marrëveshja për pensionet po arrihet pothuajse. Kemi fituar premtimin solemn nga zv.kryeministri, që kjo pikarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër, siç ndodh shpeshherë në anët tonë.

Shqiptarët e shumtë që punojnë kontribuojnë në Itali më në fund do të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse më në fund do të çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme, jo vetëm nga pikëpamja financiare por edhe nga pikëpamja sociale, e respektit dhe dinjitetit të punës së njerëzve”, tha Rama.