Kryeministri Edi Rama takoi të enjten rektorët dhe dekanët në Ministrinë e Arsimit në një diskutim për 8 kërkesat e studentëve. Takimi me rektorët dhe dekanët vjen pas refuzimit të vazhdueshëm të studentëve protestues për t’u futur në dialog me qeverinë për realizimin e kërkesave të tyre.
Rama tha se “Autonomia universitare është kthyer në arratisje nga përgjegjësia e universiteteve”, duke shtuar se “mbase duhet ta rishikojmë autonominë universitare. Mbase ka qenë një hap i nxituar.”
“Nëse deri sot kam thënë se jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mia, jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës mbi qeverinë, pasi kam besuar më shumë tek autonomia universitare, sot nuk jam më i gatshëm. Po ndodh diçka e pandodhur. Është hera e parë që një protestë studentësh mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen. Dhe kjo nuk është mister dhe s’ka as nevojë të jesh politolog ta kuptosh se kush e ka mbjellë këtë farë. Pjesa më e madhe e studentëve që dolën, presin zgjidhje me të drejtë, a nuk e meritojnë vallë një reflektim? Ajo që ka kërkuar lëvizja studentore e 90-ës ishte dialogu. A nuk meriton një reflektim kjo, se deri ku i kemi lënë ne studentët dhe ku është kuptimi i tyre i demokracisë? Mendimi i universiteteve është i rëndësishëm. Pedagogët disa janë fshehur, disa janë nën akuzë…Unë i kam po të gjitha pikat, por kam nevojë për si”, tha Rama.





