DURRËS, 10 nëntor 2014 – Kryeministri shqiptar z. Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron kanë mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin e Beogradit, i cili ishte blinduar nga forca të shumta policore dhe helikopterë që monitoronin nga ajri.

Z. Rama u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç.

Forca të shumta policore kishin rrethuar zonën, ndërsa kryeministri shqiptar shoqërohet nga 6 truproja shqiptare.

Në aeroport nuk është ngritur flamuri shqiptar, por vetëm flamuri serb.

Kryeministri ka veshur një kostum i zi me kollare të kuqe.

Avioni me të cilin udhëtoi delegacioni shqiptar u nis nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit, në orën 08.45, ndërsa kryeministri shoqërohet edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati e ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj.

AGJENDA

Me arritjen e Kryeministrit shqiptar, në orën 11:00, në selinë e qeverisë serbe, do të fillojë ceremonia zyrtare.

Më pas do të vazhdohet në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe më pas do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve nga Ministrat e Jashtëm”.

Në 12:15 minuta, do të mbahet konferenca për shtyp e kreut të qeverisë së Tiranës dhe Beogradit.

Një takim i z. Rama në orën 16:00 me gazetarët, pastaj Kryeministri do të jetë i pranishëm në forumin e biznesit serbo-shqiptar dhe ora 18 në bashkinë e Beogradit.

Gjatë qëndrimit të delegacionit shqiptar në Beograd pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve dypalëshe.

Të martën në orën 05:00 të mëngjesit do të bëhet nisja për në Preshevë.

Pas mbërritjes në Preshevë, në orën 11.00,

Kryeministri Rama do të takojë kryetarin e komunës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/