Sot (1 tetor) u firmos e marrëveshja mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.
Gjatë fjalës së tij kryeministri, Edi Rama, u ndal te barazia gjinore dhe mbështetje e qeverisë për fuqizimin e grave dhe vajzave.
Rama tha se investimi te gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe më i frytshëm që mund të bëhet në kuadër të barazisë gjinore.
Me batutë Rama u bëri thirrje djemve dhe burrave të mos dekurajohen nga mbështetja për gratë e vajzat.
Edi Rama: Tani më edhe koha po e provon se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe i frytshëm dhe shpresoj që të jetë investim që qoftë edhe për inat t’i motivojë më shumë burrat se përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit sesa gratë dhe vajzat.
Na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë me veten.
Si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, më vjen keq por duhet që edhe bashkëvuajtësit burrat dhe djemtë ta pranojnë se gratë janë më përpara se ne.
Duhet të dorëzohemi me dinjitet përpara këtij fakti dhe të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi të bindur se s’do t’i kalojmë asnjëherë por të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkëudhëtarë të tyre.





