U mblodh paraditen e sotme Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste Durrës.

E pranishme përveç kryeministrit Edi Rama ishte edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Takimi u bë pa praninë e mediave.

Në qendër të diskutimeve në mbledhje ishte përgatitja e strukturave dhe organizimi i partisë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Përpara Durrësit, një takim i ngjashëm u zhvillua edhe me socialistët e Shijakut.

Të dyja bashkitë, si Durrësi ashtu dhe Shijaku qeverisen nga kryebashkiakët Vangjush Dako dhe Ardian Kokomani dhe PS synon të përsërisë fitoren edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Gjithësesi, ende nuk është e qartë nëse në zgjedhje, PS do të rikandidojë Dakon dhe Kokomanin apo do të dalë me kandidatura të reja.

Ajo që u vu re sot në Durrës dhe Shijak ishte se në ndryshim nga takimet e zgjeruara dhe në ambiente të hapura në qytete të tjera të Shqipërisë, këtë herë Rama preferoi të mblidhej me socialistët bregdetarë në salla të mbyllura.

Këto takime të Ramës nuk mbetën edhe jashtë vëmendjes së drejtuesve kryesorë të PD-së në Durrës. Ish-deputetët Bylykbashi dhe Fatbardha Kadiu, ironizuan kryeministrin se në ilegalitet të plotë, organizoi në periferi të Durrësit një takim me strukturat e ngushta të Partisë Socialiste të qytetit teksa i porositi që policia, administrata dhe militantët të mos thonin asgjë.