Në nisje të sezonit të ri parlamentar në datat 28-29 gusht kryeministri Edi Rama do të mbledhë kabinetin qeveritar.

Ministrat janë njoftuar për një retreat që do të mbahet në këto data dhe duhet të kenë gati një analizë të punës dhe objektivave të dikastereve përkatëse.

Vendi se ku do të mbahet retreat-i radhës ende nuk u është bërë me dije ministrave, por Himara mund të jetë një nga destinacionet e përzgjedhura nga kryeministri Rama për të “festuar” fitoren e 4 Gushtit.

Mbledhja e fundit retreat e Ramës me kabinetin qeveritar ishte 8 muaj më parë në nisje të vitit, ku në një hotel në Lezhë, Rama mblodhi ministrat dhe zyrtarët e ministrive, si dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare.

Turizmi pritet të marrë vëmendjen kryesore, ku veç atyre që konsiderohen suksese vëmendje do të marrin edhe problematikat të cilat kanë nisur të evidentohen gjatë muajve të verës, një nga të cilat është edhe ndotja e bregdetit.

Rama pritet të kërkojë rezultate për luftë antikorrupsion dhe për atë që është quajtur superkomisioni “Xhafaj”, një nisëm e iniciuar 8 muaj më parë në retreat-in e Lezhës.

Nga reflektimi mbi “gabimet” e socialistëve në 6 muajt e parë të këtij viti, kryeministri do të ndërtojë edhe platformën e re qeveritare nëpërmjet investimeve në sektorë të ndryshëm dhe platformën elektorale me objektivin e qartë të tij, mandatin e katërt qeverisës.