Paraditen e kësaj të marte, kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një Live në Facebook se vizitoi zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Durrës.

I paraprirë nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kryeministri nuk harroi të vinte maskën, (ashtu siç vetë ka urdhëruar) teksa futej në ambientet e brendshme të këtij institucioni për të vërtetuar se tashmë durrsakët janë me një problem më pak në jetën e tyre pasi radhët janë eleminuar në sajë të shërbimeve online.

“SIÇ E SHIKONI NUK KA RADHË!”, i tha ministrja.

U bind Rama edhe vetë Denaj nga ajo çfarë tha dhe më pas vijoi të përsëriste ato çfarë kishte mësuar përmendësh, shifrat e aplikimeve dhe shifrat e radhëve e sorollatjeve të pafundme, tashmë të zhdukura falë reformave të qeverisë.

Në gjithë këto vite që Partia Socialiste është në pushtet, të gjithë jemi të bindur për një fakt; Shqipëria është më e bukur përmes ERTV-së së kryeministrit, pasi realiteti flet ndryshe.

Pak orë pasi Rama u largua nga ISSH Durrës, në derën e këtij institucioni shfaqen një grumbull të moshuarish të cilët presin të tërheqin pensionin.

Dhe siç duket në videon e mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” nga Denis Simaku radhët sërish u shfaqën sa hap e mbyll sytë dhe masat anticovid nuk respektohen!

Nga propaganda që na serviret në rrjete sociale ndër vite dhe që e besojnë vetëm komentuesit me faqe fallco në Facebook, nuk ka ardhur asnjë e mirë.

Dihet, se në një institucion që do të vijë kryeministri nuk mund të ketë parregullsi dhe radhë.

E vetmja e mirë që ka ndodhur për Durrësin në të tilla raste, është larja dhe pastrimi i rrugëve me themeli një natë para se Rama të vijë e të mburret me arritjen e radhës..

G.D.