Kryeministri Edi Rama ka zhviluar takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Shkodër, ndërsa të dielën, 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kandidati i PS, Benet Beci është kandidati ideal për Shkodrën dhe se Berisha është xheloz për të.

“Nuk e kam menduar se do e gjenim një kandidat kaq ideal që të ketë punuar me atë tjetrin. Me mua ka punuar sepse unë i kam vlerësuar punën. Në atë lloj xhungle ka qenë ndër të paktit që dilte në pah si shembull me punën e tij.

Beneti, kështu është i urtë por në TV ka pas bërë debate kundër nesh. Ky nuk kandidonte për asgjë po dilte mbronte zotin Berisha sic i thotë ai. Megjithatë kjo për mua nuk përbënte problem sepse Beneti kishte treguar se ishte njeriu i duhur për ta menaxhuar Fondin Kombëtar të Zhvillimit.

As ngjyra blu as ajo mavi nuk e ka udhëhequr kurrë Benetin në punën e vetë. Të gjithëve atyre që nuk janë këtu, Beneti është kuq e zi, as blu as mavi. Shkodra duhet të votojë kuq e zi këtë herë. Ata të djathtët duhet të shohin sa xheloz është bërë ai Berisha për Benetin, sikur i kemi marrë të dashurën. Më tha Beneti është shqetësuar shumë doktori, i thashë po mua ma thua këtë, unë punoj 1 jetë për të shqetësuar doktorin. Më tha se e pyet, pse ka ikur, ku e kanë kapur. I thashë, thuaj që të ka kapur Shkodra, ambicia për ta bërë siç ne kemi bërë Vlorën, Durrësin”-tha Rama.