DURRES, 25 gusht 2013 – Në ditën e dytë të turit njohës nëpër Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga Partia Socialiste për të marrë pjesë në Konferencën "Shqipëria e Gjeneratës tjetër" janë ndalur në disa nga zonat informale, si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Specialistë të fushës së urbanistikës i kanë njohur miqtë e huaj me historikun e krijimit të këtyre zonave, si dhe problematikat e mprehta që kanë ato në një proces që tashmë ndodhet midis legalizimit dhe urbanizimit të tyre.
Më tej turi ka vijuar në amfiteatrin antik të Durrësit, por dhe në bregdetin e qytetit.
Të shoqëruar edhe nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, arkitektët dhe urbanistët e huaj kanë parë me sytë e tyre situatën në të cilën ndodhen këto dy zona mjaft të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
“Një Konferencë për territorin dhe ekonominë; një hapësirë diskutimi me arkitektë, urbanistë, artistë dhe ekonomistë, financierë, menaxherë, ku do të ballafaqojmë ide, do të marrim opinione, sugjerime. Do të vendosim një kontakt që synon të jetë i vazhdueshëm në funksion të një transformimi rrënjësor të atyre potencialeve të mëdha që Shqipëria i ka si dhuratë, nga Zoti apo nga natyra, por që në gjithë këto vite janë dëmtuar në mënyrë shumë të ndjeshme dhe kërcënuese për të ardhmen”, u shpreh Rama në përfundim të vizitave të qytetin e Durrësit.
Përfaqësuesit e tjerë të Partisë Socialiste dhe qeverisë së re, kanë shkëmbyer mendime të vlefshme me Kryeministrin e zgjedhur Rama, por edhe me ekspertët që i shoqëronin për mënyrat se si mundet që këto pika nevralgjike të transformohen rrënjësisht në funksion të rikthimit të vlerave të tyre të vërteta, për t’i kthyer ato në një industri që do të prodhojë punësim dhe mirëqenie.
“Padyshim, një nga prioritetet e vitit të parë do të jetë goditja pa asnjë kompromis ndaj gjithë atyre zhvillimeve që kanë dëmtuar territorin duke filluar nga bregdeti. Por, njëkohësisht, edhe nisja e punës intensive për një zhvillim harmonik, të qëndrueshëm, ekonomik, social dhe urban në funksion të një turizmi, i cili nuk mund të bazohet më në shifra të sajuara, apo duke u ngushëlluar me prurjet që vijnë natyrshëm drejt bregut, por që duhet të kthehet në një industri për të prodhuar punësim dhe të mira materiale”, tha Rama.





