Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, paraditen e kësaj të marte ndodhen në Radë të Durrësit, për një bashkëbisedim me fermerët e zonës. Ishte Dako ai që nisi takimin duke u shprehur se “me Edi Ramën bënë shtet, dhe këto 4 vite do të bëjnë punë aq sa s’janë bërë për 20 vite.” Ai i’u drejtua banorëve të zonës duke iu thënë se zona e tyre është afër me Gjirin e Lalzit dhe ka shumë punë për të bërë.

“Ky është momenti, ky është shanci, të votojmë Partinë Socialiste. Ju jeni njerëz të zgjuar sepse dini të dalloni se kush di ta bëjë punën dhe kush punon. Me Edi Ramën në këto 4 vite bëmë shtet. Legalizuam mijëra banesa. Bëmë reforma në drejtësi, bëmë reforma në arsim, bëmë reforma në shëndetësi. Ne do të krijojmë drejtësi në këtë vend”, mbylli fjalën e tij kryebashkiaku Dako.

Kryeministri Rama e nisi fjalën e tij duke u shprehur se është hera e dytë që vjen në Manëz dhe sa mirë që ndihet në mes të kësaj familjeje të madhe.

“Ajo që duhej bërë në çerek shekulli u bë në 3 vite. Sot Shqipëria është më mirë se ç’ishte dje në mëngjes. Pse? Sepse morëm guximin për zhbllokimin e Vetting-ut. Këta të tepsisë që dalin nëpër televizione dhe ca quhen analistë, ca përplasin duart mbi tavolinë, flasin për ju, por mendjen e kanë tek tepsia për veten  e tyre. Uleni zërin e televizorit dhe shihjani fytyrat e nëse do ju mbushin mendjen se ndonjë fytyrë nga ata atje ka lidhje me ndonjë fshatar atëherë shkojini e votojini, por asnjë fytyrë aty s’ka lidhje me ju.”

Rama qytetarëve të zonës së Manëz-s ju kujtojë një shprehje të një Presidenti amerikan i cili ka thënë “Kur vete 40 – vjeç njeriu mban përgjegjësi për fytyrën që ka.”

Kryeministri Rama në fund të fjalës së tij shtoi:

“Çfarë është Vetting-u? Më shkruan njëri sot në mëngjes meqë e bëre Vetting-un Berisha s’do të arrestohet deri më 25 Qershor. Por s’ka lidhje. Nëse njëri thotë që ka 7 shtëpi. Njërën ia ka lënë vjehrra, njërën ia ka lënë kunati që jeton në Orlando, etj. Por nëse ky vjehrrën e ka akoma gjallë, e nëse motrën nuk e ka të martuar atëherë kush ia la këto 7 shtëpi këtij? Kush do ia vërë drejtësinë këtij? Republika e re që do të sjellim pas 25 Qershorit. Ne e filluam nga koka dhe do të vazhdojmë me të gjitha me rrallë. PD u fut në zgjedhje por ata nuk kanë ndryshuar, janë po ata. Nëse do të shohësh polic që hanë fara luledielli në rrugë atëherë voto ata. Ne kemi vënë themelet mbi baltën që lanë ata dhe tani do të ngremë themelet. Di të them që kemi bërë aq sa kemi mundur, nuk bëmë dot aq sa deshëm, por provën që në këtë vend u bë shtet, ne e kemi dhënë. Provën që polici është polic, që shkolla është shkollë, dhe spitalet janë spitale e kemi dhënë. Na jepni mundësinë të marrim 71 mandate dhe t’i shohim së bashku frytet e 4 viteve të ardhshme.”