Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, e cila zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Rama dhe Starmer po japin një konferencë të përbashkët pas takimit që zhvilluan ‘kokë më kokë’. Rama në fjalën e tij u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve tona dhe se është bërë një progres i jashtëzakonshëm për çështjen e emigracionit.
Rama: “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve tona, për shkak se ne asnjëherë më parë nuk kemi qenë të lidhur për çështje kaq të rëndësishme.
Për çështjen e Ukrainës dhe në çështjen e betejës për emigracionin e paligjshëm për rrjetet kriminale që e stimulojnë emigracionin të paligjshëm. Besoj se me këtë vizitë kemi bërë progres të jashtëzakonshëm. Sa i përket të parë edhe situatat gjeopolitike në vendit është e trazuar.“
Sakaq, në kuadër të kësaj vizite dhe forcimit të bashkëpunimit mes vendeve u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta” nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme te Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott.
U nënshkrua gjithashtu “Deklarata e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial” – nga Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott.





