TIRANE, 9 korrik 2013 – Të ndalet një orë e më parë dallga e ilegalitetit në vijën bredetare të vendit nga veriu në jug.

Kjo ka qenë thirrja që kreu i PS, Edi Rama, ka lëshuar për kryebashkiakët dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare, gjatë një mbledhje të organizuar pasditen e sotme në ambjentet e Hotel Tirana.

Çështja e administrimit të territorit dhe ajo e ndërtimeve pa leje, ishin dhe dy pikat e nxehta të parashtruara nga Kryesocialisti, për të cilat kërkoi opinione nga bashkëbiseduesit për të shkuar drejt ndërmarrjes së masave konkrete sapo qeveria e ardhshme të nisë nga puna në shtator.

“Jemi për të diskutuar domosdoshmërinë e një ndërhyrje të një emergjence për disa cështje që kanë ndjeshmëri të madhe publike dhe pengojnë zhvillimin normal të vendit. Po e nis nga e para për të kërkuar opinionet tuaja, cështjen e administrimit të territorit, ka ankesa për ozuprime dhe privatizime të padrejta të territoreve. Ka plot raste kur njerëzit ankohen për gardhe dhe mure që pengojnë territorin e plazhit. E dyta, është gjendja skandaloze e ndërtimeve pa leje në gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug, e që në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm për pasojë të këtij vakumi në periudhën e ndërrimit të qeverisë. Ndërtime pa leje që kanë pësuar rritje edhe për shkak të moskordinmit të punës mes qeverive vendore dhe asaj qëndrore. Duhet të ndalim një orë e më parë këtë dallgë ilegaliteti. Këto dy cështje janë pikat më të nxehta për diskutim, mund të ketë dhe cështja të tjera që do dalin gjatë diskutimit” tha Rama.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, z Vangjush Dako gjithashtu kërkoi hartimin e një ligji të ri lidhur më ndërtimet në plazhe. 

“Të hartojmë një ligj më funksional. Ligji për legalizimet ka qenë një pengesë në kuadrin ligjor dhe nëse një ndërtim pa leje nuk prishet brenda 15 ditëve subjekti vjen me një letër legalizimesh dhe ti je i detyruar t’ia njohësh ndërtimin sepse këtë kërkon ligji”. 

Kryesocialisti kërkoi nga Kryebashkiakët të ndjekin shembullin e aksionit në Vlorë, për të filluar që tani prishjen e ndërtimeve pa leje në gjithë vijnë bregdetare të vendit.

Ndërkaq deputetja socialiste e qarkut të Lezhës, Mimi Kodheli përpos problematikës së ndërtimeve pa leje tha se duhet një rregullim edhe për aktivitetin e peshkimit nëpër zonat bregdetare.

Ndërsa Valentina Leskaj, deputete e qarkut të Vlorës,  u ndal tek problematika e furnizimit me ujë të pijshëm të zonave bregdetare dhe nevojën e ndërmarrjes së një aksioni së bashki me organizatat joqeveritare për pastrimin e plazheve.

Edhe Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ngriti shqetësimet e tij lidhur me situatën në qytetin që drejton, duke u ndalur tek ndërtimet pa leje,  fenomen që sipas tij, duhet mbyllur në qelizë. Gjika tha më tej se unifikimi i sistemit policor mbetet parësor, për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilituar vijënbregdetare.

“Është abuzuar me hapësirat e plazheve dhe duhet punuar për infrastrukura e shërbime më të mira. Ndërtimet e paligjshme gjithashtu janë një fenonem shqiptar, por ky fenonem mund të mbyllet në qelizë. Jo më larg se sot, në një koordinim me strukturat e policisë sot, ne filluam një aksion mbi 130 objekte të paligjshme në bregdet që do të mbyllë atë ide të mbrapshtë që ato nuk duhet të ndodhin.Po ashtu, mua më ka ndodhur që inspektori i policisë së ndërtimit është goditur në detyrën e tij dhe në vend të kishte mbështetjen e policisë, është thirrur një javë rresht nga prokuroria. Unifikimi i sistemit policor mbetet parësor. Duhet unifikim dhe koordinim më të gjitha hallkat e shtetit për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilitimin e vijës bregdetare” tha Gjika.

Kryebashkiaku i Vlorës ngriti shqetësimin edhe lidhur me diskot në këtë zonë, të cilat i konsideroi objekt shqetësues, madje alarmues për pushuesit.

“Problem janë edhe diskot në këtë zonë, që janë objekt shqetësues e madje alarmues për pushuesit. Mbi ato ne nuk kemi pushtet. Unë do thoja se siç ju e keni programuar, ligji i ri i urbanistikës ka nevojë për një rishikim dhe në të duhet demotivuar patjetër ndërtimi i tij. Së fundi, të kemi edhe një regjistër të unifikuar kombëtar, standart. Tani e tutje unë jam shumë herë më i motivuar për të mbrojtur atë që qytetarët na kanë besuar”përfundoi  kryebashkiaku Gjika.