PRISHTINE, 24 gusht 2013 – Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, vijon vizitën tij në Kosovë, duke u bërë pjesë e disa aktiviteteve të rëndësishme kulturore.
Pas pjesëmarrjes së tij në festivalin e filmit "Dokufest", në Prizren, Rama bën të ditur nëpërmjet rrjetit social "Facebook", për vizitën në ekspozitën e Simon Shirokës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
"Me Lindën në Galerinë e Arteve të Kosovës për superekspozitën e Simon Shirokës", shkruan Rama në rrjetin social.
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, që nga data 28 qershor është hapur ekspozita me vepra të punuara nga artisti i njohur Simon Shiroka.
Kurator i punimeve të Shirokës është drejtori i GKK-së, Erzen Shkololli.
Ndërkaq, mësohet se Galeria Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me familjen Shiroka, janë duke përgatitur monografinë e artistit, e cila pret të publikohet në gusht të këtij viti dhe ka për editor kritikun e artit Shkëlzen Maliqi, që njëherësh është dhe anëtar i Bordit të GKK-së.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy muaj, deri më 28 gusht.





