TIRANE, 08 mars 2013– Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi një ndër gratë që do t’i bashkohen ekipit të socialistëve në zgjedhjet e 23 qershorit. 

Duke e konsideruar si një akt besimi ndaj grave, kryesocialisti vlerësoi përfshirjen e kryetares së njësisë bashkiake numër 1 në Tiranë, Lindita Nikolla, në listën e kandidatëve të PS-së për deputete. Ndërsa vlerësoi punën e Nikollës në krye të njësisë bashkiake, Rama tha se “me Linditën ekipi i deputetëve të Tiranës bëhet më bindës dhe afrohet më tepër me qytetarët”. 

“Sot na takon jo vetëm të flasim për gratë, por edhe të bëjmë një akt të ri besimi ndaj tyre, prandaj sot skuadrës sonë të rilindjes i shtohet një grua tjetër. Lindita Nikolla nuk është e panjohur për publikun, edhe pse shumë më mirë e njohin qytetarët e njësisë numër 1, ku ka drejtuar qysh prej vitit 2007. Kush e njeh historinë personale të Nikollës ka vetëm respekt për këtë grua. Kush di sadopak për administrimin e asaj zone mund të tregojë raste të panumërta të kryetares Nikolla për të zgjedhur hallet e tyre. Trokasin tek Lindita për faturën e ujit, dritave, Lindita shkon me ta në zyrat e KESH-it, Ujësjellësit. Askush që troket tek Lindita nuk merr përgjigjen se kjo nuk i takon njësisë bashkiake. Drama e rinisë së të vëllait të burgosur politik në vitet e diktaturës nuk ka nxitur urrejtjen tek Lindita, por dashurinë dhe hapjen tek të tjerët. “- u shpreh Rama.

Nga ana e saj, Lindita Nikolla, krahas falenderimit për besimin që i jepet, ka garantuar angazhimin e saj dhe përkushtimin e madh pranë Partisë Socialiste. “Unë do trokas në zemrën e çdo qytetari që do Shqipërinë e rilindur, e pas 23 Qershorit do vazhdoj sërish për të bërë të mundur rilindjen shqiptare", – theksoi Nikolla. 

Duke iu referuar ditës së gruas, Rama theksoi se ky 8 Mars e gjen gruan shqiptare me një bilanc të rëndë dhe një mundësi të madhe. Ai tha se gruaja ka paguar haraçin e një shtypje të pamerituar, ku një perçe e rëndë ka ndarë vajza të vogla fshatrash, nuset e reja shtatzënë nga kujdesi shëndetësor, gra e vajza të shkolluara nga rruga e përfshirjes në punë. Sipas tij, kjo situatë përkeqësohet si pasojë e keqqeverisjes, ku gëlojnë vrasjet dhe dhuna në familje, ndërsa 27 të vrara janë tmerrësisht shumë, si dëshmi tronditëse e asaj që po ndodh. 

“Ky 8 mars e gjen gruan shqiptare me një bilanc të rëndë dhe një mundësi të madhe, si dhuna, papunësia, etj. Mundësia e madhe është vota e 23 qershorit për një rilindje shqiptare, ku për gruan shqiptare do të hapet një horizont i ri shpresash. Unë jam krenar për këtë 8 mars sepse udhëheq partinë që ka hequr kuotat në çdo nivel përfaqësimi. Kur flitet për Kodin Zgjedhor unë jam krenar që ne socialistët dhe progresistët e shndërruam Parlamentin në një Kuvend ku gratë kanë kuotën dhe zërin e tyre”, – deklaroi Rama