SHKODER, 22 prill 2013 – Pas nënshkrimit të marrëveshjes Ps- PBDNJ, paraditen e sotme, pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së. Para nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë Ilir Meta tha sot se koalicioni me Partinë Socialiste është i natyrshëm dhe se do të jetë solid e afatgjatë.
Duke iu referuar katër viteve në qeverisje dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Meta tha se Shqipëria duhet të kishte bërë shumë më tepër rrugë drejt BE-së, por mungesa e bashkëpunimit dhe klima e konfliktit e kanë bërë të pamundur.
Duke u ndalur tek rëndësia e marrëveshjes së sotme Meta theksoi se bashkimi i së majtës është një aksion historik dhe i domosdoshëm për të garantuar rotacionin politik më 23 qershor.
“Në emër të këtij bashkëpunimi dhe të ardhmes së Shqipërisë, LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS për krijimin e një koalicioni paraelektoral. Bashkimi i të majtës dhe i gjithë forcave progresiste është një aksion politik historik, i domosdoshëm që bashkon dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial. Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndjen përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE.”- tha Meta.
Rama: Bashkë me LSI nisim një rrugë të re
Në fjalën e tij, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e cilësoi ditën e sotme të rëndësishme, sipas tij për dy arsye.
“Sot në Shqipëri, në Shkodër, për herë të parë Partia Socialiste Europiane mban Konferencën e saj për Ballkanin, duke e nisur ketu për ta mbaruar në Budva në Malin e Zi. Por është edhe një ditë e shënuar sepse sot pas një rrugëtimi të vështirë, por edhe falë mbështetjes dhe inkurajimit tuaj, dhe qëndrimit pranë nesh, pranë dy forcave të së majtës, PS dhe LSI, ne sot jemi bashkë për të filluar një rrugë të re, dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re.”- tha Rama.





