Kryeministri i vendit, Edi Rama ka realizuar një takim me studentët përfitues të programit të ri të bursave. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka ngritur shqetësimin në lidhje me studentët shqiptarë që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri, ndërsa rrugën e karrierës profesionale e ndjekin jashtë shtetit.
Rama ka marrë si shembull Fakultetin e Mjekësisë, për të cilin ka thënë se një student i këtij fakulteti i kushton shtetit 15 në të 16-tën e shpenzimeve të tij, pasi sipas Ramës, studenti mbulon vetëm një shumë simbolike me tarifën e studimit dhe për këtë ka thënë që duhet ndërhyrë me një politikë të diferencuar.
Kryeministri Rama tha se kjo politikë e diferencuar do të mbështesë studentët përfitues me pagë minimale gjatë kohës së studimit të tyre, me detyrimin që ata të punojnë të paktën 3 vite në Shqipëri.
Edi Rama: Vendi ynë ka nevojë për të gjitha shërbimet dhe shërbimet kanë nevojë për njerëz të kualifikuar. Pavarësisht se trendi është i tillë që gjithmonë e më shumë bluza të bardha po spostohen drejt Gjermanisë, ne nuk mund të pajtohemi me idenë që mund të mbetemi pa mjekë dhe pa infermierë. Deri sot, balanca është e qëndrueshme edhe pse nuk është një balancë e sigurtë për të nesërmen. Detyra jonë është që ta bëjmë një balancë të sigurtë. Në bazë të një studimi të bërë nga Fakulteti i Mjekësisë, një student mjekësie në Shqipëri i kushton shtetit 15 në 16 dhe me tarifën e tij, studenti mbulon 1 të 16-ën e kostos të studimit të tij, pjesa tjetër mbulohet nga shteti. Mjekët tanë mund të shkojnë lirisht në Europë, nuk është një fakt para të cilit ne mund të dorëzohemi dhe është një fakt para së cilit duhet të reagojmë. Shteti shqiptar nuk mund të vazhdojë të paguajë 15 në 16 pjesë të studentëve të mjekësisë nëse studenti nuk është i gatshëm që t’i kthejë shtetit investimin që shteti bën për të. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kenë mjekë.