15 shtator 2013 – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, patën një komunikim ndryshe mes tyre dje në sallën e Kuvendit gjatë seancës maratonë. Në të paktën pesë raste, Meta, përmes sekretarisë së Kuvendit, i dërgonte Ramës mesazhe të shkruara në letër, të cilat, pasi plotësoheshin nga Rama apo bëheshin shënime, i dërgoheshin sërish Metës përmes sekretarisë. Pasi lexoheshin ose dërgoheshin prej Metës sërish te Rama, Meta i griste ato. Kjo korrespondencë u përsërit disa herë gjatë ditës së djeshme, ndërsa nuk u pa asnjëherë përdorimi i celularëve mes tyre. Paraardhësit e tyre, Topalli dhe Berisha, komunikonin mes tyre përmes celularit. Ekspresiviteti i zonjës Topalli në komunikim “dekonspironte” bashkëfolësin, edhe pse të dy politikanët i ndante vetëm një shkallë në podiumin e Kuvendit. Seanca maratonë e ditës së djeshme kishte dhe rekordet e saj. Deputeti që u shkëput më pak nga salla ishte demokrati Eduard Selami, i cili qëndroi thuajse me orë të tëra pa ndërprerje në karrigen e tij, pas një shkëputjeje prej 17 vjetësh nga salla e Kuvendit. Pas tij rekordi mbahet nga Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, i cili u mundua të ndiqte të gjitha diskutimet e deputetëve. Ai u shkëput me intervale të shkurtra, madje disa herë duke qëndruar në ambientet e brendshme të Kuvendit. Pas Ramës, Ilir Meta ishte po ashtu deputeti që qëndroi gjatë pa lëvizur në Kuvend, edhe pse vendin e tij e zinte nënkryetari i ri i Kuvendit, Edmond Spaho. Ajo që ra në sy ishte dhe një disiplinë e kabinetit qeveritar për të mos e lënë për shumë kohë bosh karrigen ditën kur debatohej programi i qeverisë.

/panorama/