Grupi parlamentar socialist starton sot procesin e identifikimit të kandidaturës për Presidentin e ri të Republikës. Në mbledhjen që u zhvillua ditën e sotme, ka mbajtur fjalën e tij edhe Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se, “për herë të parë PS ka mundësinë që ta zgjedhë e vetme Presidentin/en e Republikës, çka do të thotë se për herë të parë PS ka gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës”.

Ndërkohë ai u shpreh se Ilir Meta në postin e Presidentit ka qenë më skandalozi dhe “më i papërsëritshmi në llojin e vet”. Kreu i qeverisë teksoi se zgjedhja e Metës në krye të shtetit ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim.

“Ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe profilin e PS është se nuk mjafton thjesht të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol se sa Ilir Meta. Është që të zgjedhim një figurë për të luajtur në 5 vitet e ardhme rolin e kreut të shtetit, që të rrezatojë normalitet, që të ketë integritet, të garantojë respekt të ndërsjellë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe aleatëve tanë strategjikë, partnerëve tanë, miqve të Shqipërisë.

Që të sigurojë gjithashtu një nivel profesionalizmi në adresimin e të gjithë çështjeve që lidhen me Presidentin e Republikës dhe të përçojë frymë përbashkuese për qytetarët përtej bindjeve të tyre politike dhe dallimeve mes tyre. Këtu sfida vështirësohet dhe përzgjedhja është shumë më e ngushtë se sa do të ishte në një sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe të Presidentit më të papërsëritshëm të llojit të vet që Shqipëria ka pasur taksiratin të ketë mbi krye.

Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim për ne që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës dhe gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm po të kemi parasysh që mungonte opozita zyrtare në sallë. Në ato kushte zgjodhëm një president për opozitën, por duke menduar askohe që do të ishte dhe një president për Shqipërinë. Rrjedha e ngjarjeve tregoi krejt të kundërtën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Natyrisht i dha vendit një president i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991”, tha Rama.