Nga Blendi Fevziu
Për herë të parë për Bidai – n pyeta kur grafikët e matjes së audiencës pësuan një transformim befasues. Diku nga mbasditja, një orar i caktuar lartohej si Himalajet duke lënë pas gjithçka: politikë, kronikë, film, shoubiz, ngjarje dhe personazhe. Ishte i përditshëm, pa asnjë turbolencë dhe gjithnjë dominues. Më thanë që ishte një telenovelë indiane. Një nga ato që kishte pasur sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm në Indi, por në gjithë vendet e varfëra, ku njerëzit punojnë pak dhe merren me fjalë shumë.
Ç’ndodh në këtë telenovelë, pyeta një mikun tim politikan, që po ashtu si unë ishte kuriozuar nga vëmendja e madhe ndaj saj?
Asgjë m’u përgjigj, suksesi i saj është që nuk ndodh asgjë. Po kanë një aftësi befasuese për të krijuar ngjarje pa rezultat. Një orë diskutojnë të pijnë çaj apo mos pijnë çaj, pastaj hapin një temë tjetër që s’ka as subjekt dhe as thelb. Por që të mban mbërthyer derisa mbaron kjo seri. Dhe të ndjell për serinë tjetër!
M’u kujtua fjala e mikut tim këtë javë, kur raporti Rama – Meta ngjan identik si Bidani! Fol e fol dhe asnjë s’e di se përse?! Bëjnë deklarata, por në fund i harrojnë edhe vetë. Janë takuar ca herë këtë javë. Një herë ndërron njëri shoqëruesit e më pas tjetrit. Një herë marrin me vete Vasilin e Ruçin e herën tjetër Tahirin e Manjanin. Një herë takohen në shtëpinë e ndjesë pastë Mehmet Shehut e pastaj darkojnë dy ditë rresht me takëme argjendi në Kryeministrinë e Edi Ramës. Pas darkës del Meta në Tv dhe thumbon Ramën. Mbështetësit shkruajnë mesazhe që më pas i fshijnë prapë. Deputetët e tyre takojnë gazetarë dhe ju “flasin në konfidencë” për trimërinë e shefit ndaj “legenit” tjetër. Tentojnë të prodhojnë lajme dhe në fund, askush nuk di të thotë: Përse?! Për ndryshimet në qeveri? Po ndryshime s’ka! Për qeverisjen? Po qeverisja është po ajo! Kam frikë se as ata nuk dinë përse flasin. Rrinë me orë si tek Bidai dhe në fund kam frikë harrojnë se përse janë takuar realisht. Madje deri në atë pikë, sa përballë kamerave pyesin: ndryshime? Kush ka folur për ndryshime?! S’I ka përmendur kush këto!
Kur krerët e koalicionit qeverisës takohen, pa asnjë dyshim që takimi duhet të ketë një produkt. Ka minimalisht një a dy përfundime dhe deklarata se përse u takuan sërish. Por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Takohemi për reforma thonë. Dhe mediat vazhdojnë telenovelën. Shqiptarët shohin. Seria e sotme mbaroi. Tjetra me gjasë vijon të hënën. Ndërkohë, qeverisja është bërë edhe vetë telenovelë. Vlen për të shtyrë ngeshëm një orë mbasditeje, por nuk zgjidh asgjë nga hallet që ka ky vend. Por ne jemi të kënaqur me Bidain. Ndaj Rama dhe Meta sillen si personazhe të saj!
/Opinion/