TIRANË, 20 dhjetor 2013 –“Ta racionalizojmë taksën e makinës, se jemi bërë populli që kemi dyfishuar peshën trupore nga mungesa totale e lëvizjes”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë ku sqaroi efektet e sistemit të ri të taksimit. 

Sipas Ramës, taksat e reja dekurajojnë lëvizjen tepër me makina dhe se kjo metodë ndiqet dhe nga vendet normale të botës. 
“kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës dhe një taksë që nga vendet normale i shërben ndotjes së mjedisit, uljes së trafikut në qytete dhe shëndetit publik dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca të shkurtra brenda qytetit. Por, shkon në xhepat e atyre që kanë një mundësi të kenë një makinë dhe është botërisht e njohur që është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë në qytet dhe kjo në të mirë të shëndetit publik, që të lëvizin më shumë në këmbë apo mjete të tjera, dhe këtë e bën gjithë bota dhe mos e bëkemi dot ne. Do shtohen financimet për të rritur përmasën e gjelbër për të zgjeruar mushkritë e vendit tonë dhe njëkohësisht për të përmirësuar shërbimet shëndetësore”. 

Si pasojë do të kemi një mjedis të shëndetshëm dhe se fëmijët do të mund të ecin në rrugë. 
“Imagjino lëvizjen e pensionistëve, fëmijëve që duhet të lëvizin në këmbë dhe nuk lëvizin dot dhe që sot janë shumica, dhe gjithë bota normale, këtë taksë bota normale dhe shoqëria normale nuk e kanë kontestuar kurrë. Nuk është taksa e që e kemi vendosur ne, ne vetëm shtojmë 10 lekë”, tha Rama. 

Pra dhe përsëri në këtë aspekt nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria, për 10 lekë që shtohen jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve, për një mjedis më të pastër sepse ne jemi duke shkuar drejt shërbimit shëndetësor për të gjithë pa pagesë direkte, pra falas.

/balkanweb/