Kryeministri Edi Rama ka thënë se mosdekretimi i Sandër Lleshajt është një shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, mësohet se Rama i ka thënë deputetëve se Meta nuk i ka dhënë arsyetim për mosdekretimin e Lleshajt.
"Nesër në parlament do të nisim të bindim presidentin", është shprehur kryeministri para deputetëve.
"Sandër Lleshaj ka certifikatën ‘Top cosmic’, më e larta e NATO-s dhe mosdekretimi është shkelje kushtetuese", ka thënë Rama.
Pavarësisht mosdekretimit, kryeministri Rama ka emëruar Sandër Lleshajn zv/ministër të Brendshëm, por me kompetencat e ministrit. Në lidhje me këtë çështje qeveria ka nisur takimet me Presidentin Meta, për ta bindur atë se Sandër Lleshaj duhet të dekretohet.
Dje Rama takoi Presidentin, ndërsa sot me kreun e shtetit u takua kryeparlamentari Gramoz Ruçi.





