29 nëntor 2015 – Kryeministri i vendit Edi Rama ka munguar në pritjen e organizuar nga presidenti, me rastin e 103 vjetorit të pavarësise. Të dy ishin bashkë në Vlorë gjatë paradites në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë. Në mbrëmje kryeministri zgjodhi të mos jetë i pranishëm duke refuzuar ftesën që iu bë në Pallatin e Brigadave.

Në fjalën e tij për të pranishmit, Bujar Nishani kujtoi se gjatë këtij viti, mijëra shqiptarë ikën, në kërkim të azilit. Me një mesazh që dukej qartë se i drejtohej kryeministrit, Nishani tha se në të ardhmen mund të kemi shtet, por me më pak shqiptarë.

“Dikur mbi këtë truall kishte më shumë shqiptarë, por nuk kishte shtet. Nëse ne do të punojmë keq, pa krenari, pa përgjegjshmeri politike, pa ndjeshmëri njerëzore, pas ca kohësh mund ta kemi shtetin, por mbi truallin tonë do të kenë mbetur më pak shqiptarë. I ftoj bashkëqytetarët të mos e braktisim Shqipërinë, sepse me perpjekje mund ta shndërrojmë në vendin që duam.”

/portal DurresLajm/