Muzeu i Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë, është një dëshmi reale e historisë së ushtrisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga fundjava në këtë muze, një destinacion turistik i një historie politike unikale të ushtrisë shqiptare, e cila gjatë komunizmit u armatos deri në dhëmbë për të luftuar me tërë botën, në Shqipërinë e izoluar si një Kore e Veriut, në mes të Europës.

Kryeministri theksoi se muzeu ofron edhe një hapësirë të gjelbër e një vendpushim kafeje, ku vizitorët shijojnë ajrin e pastër të rrethuar nga objekte të kujtesës e të traditës shqiptare.

Muzeu i Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë, ka 5 pavijone të veçanta ku ekspozohen përmes metodave, teknikave dhe teknologjive bashkëkohore objekte, mjete, informacione e harta të periudhave që nga Iliria e deri në ditët e sotme.