Tiranë, 21 maj 2014 – Kryeministri Edi Rama tha se Policia e Shtetit do ndërhyjë në Lazarat kur ekspertët e policisë do ta vlerësojnë si momentin e duhur. Rama ishte i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në Neës 24 me gazetaren Eni Vasili. Kryeministri tha se është detyrë e Policisë së Shtetit ndërhyrja në Lazarat, ndërsa vlerësoi punën e policisë në kapjen e sasive të drogës.
Problem është trafiku i drogës. Ju e quani koincidencë atë që ndodhi, ishte ironi, qëndrimi juaj lidhur me avionin në Divjakë?
Unë s’akuzova askënd për komplot. Unë thashë që e gjitha u shfaq si në një film, sepse ata u hodhën përpjetë dhe thanë që s’e kemi bërë ne, s’e kemi bërë ne. Kjo është punë e tyre. Unë i qëndroj asaj që thashë, ndërkohë që trafiku i drogës, më falni po Shqipëria e ka pasur këtë problem, siç ka pasur problem korrupsionin, krimin e organizuar prej shumë vitesh, dhe ky problem është agravuar jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit. Kështu që ne nuk kemi bërë asgjë tjetër përveçse kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë një luftë shumë më të fortë dhe më me shumë rezultat kundër trafikut të drogës, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kështu me radhë.
Vazhdoj të jem e paqartë për qëndrimin tuaj në lidhje me avionin e Divjakës. Koincidencë?
Jo, koincidenca ishte që në Divjakë ka një problem shumë të madh me mushkonjat dhe kur u ngrit çështja e linjës ajrore që funksionon çdo natë, përgjigjja më e natyrshme që mund të vijë, aq e natyrshme sa që na erdhi në të njëjtën kohë dhe mua, edhe kryetarit të Kuvendit.
A ishin koincidencë akuzat e opozitës se ju kishit dijeni për një trafik të tillë qoftë edhe përmes strukturave të Forcave të Armatosura?
Ka një dallim shumë serioz mes nesh dhe atyre edhe në këtë pikë. Ata kanë qenë në qeveri. Dikush ka qenë Kryeministër, dikush ka qenë ministër i Brendshëm, nuk po flas për dikë tjetër që ka qenë në krye të Parlamentit dhe s’ka kuptuar gjë hiç për vite me radhë. Po flas për ata që kanë qenë në qeveri dhe e dinë shumë mirë si funksionon shteti, si funksionojnë strukturat. Brenda shtetit dhe si funksionon informacioni i klasifikuar. Informacioni i klasifikuar është një lloj informacioni që nuk është për konsum publik. Është ligjërisht e ndaluar që ta konsumosh publikisht dhe për më tepër pastaj kur është fjala për qeverinë dhe për strukturat, ky është një informacion i domosdoshëm për të bërë hetime dhe për të çuar përpara një punë, e cila është e lidhur me sekretin. Kështu që informacion mbi bazën e fakteve të paprovuara ka pasur jo më parë, por ka pasur edhe shumë kohë më parë lidhur me këtë. Pra, nuk daton sot, mirëpo ne për shembull nuk e kemi marrë atë informacion të shumë kohëve më parë dhe unë këtë e kam thënë edhe para pak ditësh për t’ua hedhur në fytyrë atyre që kemi përballë dhe për t’iu thënë që kujt ia tregoni këto copa informacion që i manipuloni për publikun?! Ndërkohë që ju e dini shumë mirë që këtë informacion e keni pasur ju në tavolinë dhe mbi bazën e këtij informacioni është vazhduar të hetohet nga strukturat. Mbi bazën e këtij informacioni ka punuar shërbimi sekret apo shërbimet e tjera, por nuk ka pasur asnjë fakt të provuar. Pra, ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi në dijeni të asnjë fakti të provuar. Pra, është shumë e thjeshtë.
Po indicie kishit, për shkak të letrës që më pas doli edhe nga SHISH?
Edhe një herë tjetër, indiciet që janë dyshime të arsyeshme, siç i konsideron shërbimi sekret, në informacionet e klasifikuara nuk janë të publikueshme dhe as të komentueshme për publikun. Nuk e bën asnjë lloj qeverie në botë, qeveri normale kuptohet, dhe për më tepër nuk vlejnë si fakte, sepse e vetmja gjë që sjellin kur komentohen dekonspirojnë çfarëdo gjëje që ti bën.
Çfarë do bëni me trafikun e drogës?
Edhe një herë po ju them që ne e kemi marrë shumë seriozisht luftën kundër drogës në të gjitha aspektet. I kemi marrë seriozisht edhe këto indicie, por po ju përsëris që në këtë rast çfarë duhet të merrnim seriozisht ne. Në këtë rast avioni është parë pa u ulur nga informatorët përkatës që kanë informuar policinë pa u ulur avioni, dhe kjo ka qenë shumë e qartë në të gjithë historinë e rindërtuar nga Policia e Shtetit me ekspertët e huaj, që tregon që nga fillimi deri në fund se gjithçka ka qenë nën kontroll. Është parë avioni dhe pastaj fakti që avioni ra është përgjegjësi e policisë, është përgjegjësi e qeverisë?! Qeveria duhet të hyjë në Lazarat dhe të ndalojë mbjelljen e drogës, thotë zoti Blushi. Qeveria do të hyjë në Lazarat atëherë kur qeveria do të jetë e bindur që është momenti për të hyrë në Lazarat dhe qeveria do të jetë e bindur se është momenti për të hyrë në Lazarat atëherë kur ekspertët e policisë dhe Policia e Shtetit të jetë e bindur se është momenti për të ndërhyrë në Lazarat.
Që do të thotë?
Që do të thotë kur të jetë momenti për të hyrë në Lazarat.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





