20 nëntor 2015 – Kryeministri Edi Rama nderohet me titullin “Honoris Causa”, nga një prej universiteteve më të mirënjohura të Turqisë, ITY.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar në nder të tij, kryeministri theksoi se nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në Ballkan, të gjitha vendet së bashku kanë mundësinë historike t’i japin një vlerë të veçantë paqes, duke veçuar marrëdhënien e veçantë shqiptaro-turke si një aset i pazëvendësueshëm, në këtë drejtim.
Rama vlerësoi ndër të tjera se më shumë se kurrë qytetërimit i nevojitet aleanca e mendjeve dhe zemrave të bashkuara për një rend botëror ku ka më shumë respekt dhe barazi për njëri-tjetrin dhe për kulturën e gjithsecilit.
Fjala e kryeministrit Rama në ceremoni:
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë mikpritje prekëse, e cila është një shembull i vogël i miqësisë së madhe mes dy popujve tanë. Një miqësi, që edhe sot ndihet në ajër më të gjithë dinamizmin e vet.
Është një miqësi kohësh të vështira, si ajo e luftës në Kosovë, për të cilën populli shqiptar do t’i jetë përherë mirënjohës popullit turk.
Në këtë kohë paqeje me bashkëpunime dypalëshe dhe shumëpalëshe në Ballkan, kemi mundësinë historike që ta bëjmë paqen, një paqe që ia vlen të jetohet, ku besoj se miqësia dhe marrëdhënia e veçantë shqiptaro-turke është një aset i pazëvendësueshëm.
Unë kam pasur privilegjin që t’i përjetoj edhe përgjatë kësaj dite intensive në Stamboll ku mu dha mundësia të takohem edhe me Presidentin Erdogan dhe të diskutojmë për perspektivën e gjallë të së ardhmes.
Sigurisht që, ndryshimi që sjell arti është në mundësitë e reja që u krijon njerëzve për të ëndërruar, ndërsa ndryshimi që sjell politika është në rrugët e reja që hap për t’i bërë ëndrrat realitet.
Politika ka magjinë që mund të mbledhë njerëz të formimeve nga më të ndryshmet, duke krijuar një tablo me shumë ngjyra, një tablo të madhe të përpjekjeve të popujve për të shkuar përpara dhe kur formimet janë krejtësisht të ndryshme, por dhe kur janë shumë të ngjashme siç ishte formimi i Margaret Thatcher që ishte kimiste dhe Angela Merkelit që është PhD në Kimi.
Te kjo pasuri kulturore unë shoh një nga arsyet e bindjes sime, se në këto ditë të vështira për botën, por edhe me shumë në ditët në vijim përveç aleancës së armëve, qytetërimit tonë i nevojitet aleanca e mendjeve dhe zemrave të bashkuara për një rend botëror ku ka shumë më tepër barazi, në respekt për njëri tjetrin; ku ka shumë më tepër barazi në respekt për shanset e çdo qenie njerëzore dhe padyshim ku ka shumë më tepër barazi dhe respektin për kulturën e gjithsecilit.
Ky universitet është një nga shembujt e gjallë të ambicies së Turqisë së sotme, një shtet modern, i cili duhet të mbajë mbi supe një rol posaçërisht të rëndësishëm në rang global, në kohëra kur duket sikur po përballen qytetërimet dhe kur feja islame është njëkohësisht në shënjestrën e barbarëve që pretendojnë se janë të kësaj feje dhe të injorantëve që akuzojnë islamin se krijon barbarë.
Turqia është vendi që vërteton më së miri këtë që thashë.
Nuk ka nevojë të njohësh thellë historinë, mjafton të shkosh në Sultanahmet apo Ortakoy për ta kuptuar pa pasur dhe nevojë të hulumtosh më gjatë shumë hapësira të tjera nga pjesa europiane e Stambollit, te dhjetëra monumente të njerëzimit të besimeve të llojeve të ndryshme në Anadoll.
Fatkeqësisht edhe sot e gjithë ditën ka jo pak njerëz në Europë që nuk arrijnë të kuptojnë se forca e Turqisë së sotme është tek politika, po aq sa është tek kultura, tek pasuria e saj kulturore.
Te kjo pasuri kulturore unë modestisht besoj se gjenden dhe rrënjët për të orientuar drejt të gjithë fuqinë tonë të përbashkët kundër terrorizmit që sot zgjat duart e përgjakura në Ankara dhe në Paris.”
Universiteti ITY një prej universiteteve më të vjetra në Turqi, i themeluar në vitin 1773, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të shumë ekspertëve dhe specialistëve, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në ndërtimin e shtetit modern turk.
/portali DurresLajm/