7 dhjetor 2013- “Dhuna ndaj grave e vajzave nuk është beteja e viktimave të dhunës, por është beteja e të gjithë atyre që kanë detyrimin të bëhen bashkë, për ta penguar dhe ndaluar dhunën,”- ishte apeli që Kryeministri Rama i drejtoi sot shoqërisë shqiptare, nga Konferenca Kombëtare kundër dhunës ndaj grave të vajzave, një iniciativë e përbashkët e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, PNUD-it dhe Qeverisë suedeze.Kryeministri u shpreh krenar që Shqipëria ka sot një Qeveri me pjesëmarrjen më të lartë se ndonjëherë të grave, por, theksoi ai, dhuna ndaj grave e vajzave mbetet një problem i madh i shoqërisë shqiptare. Ai u ndal në aspekte të këtij fenomeni, të cilin e konsideroi një sfidë përtej dasive politike, të mentaliteteve dhe mes komuniteteve.

“Të gjitha këto, në fakt, janë sfida të mëdha dhe janë të trashëguara, jo në kuptimin nga një qeveri apo disa qeveri, por në shumë vite dhe përgjigja për to është një punë sa më gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar, sepse në këtë punë, asnjë qeveri nuk mund ta fitojë dot sfidën vetëm,” – u shpreh Kryeministri, teksa e cilësoi dhunën ndaj grave e vajzave, shkelje të të drejtave të njeriut.

Kryeministri u angazhua për forcimin e mekanizmave mbështetës për gratë e përballuara me dhunën në familje, ofrimin e ndihmës ligjore falas për to dhe riintegrimin e tyre në shoqëri. Një element i rëndësishëm i qasjes së re ndaj këtij fenomeni është kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas në familje.

Kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas në familje, ne besojmë se jo vetëm do të rrisë efektshmërinë në përdorimin e kësaj ndihme në funksion të ushqimit të familjes, por do të rrisë edhe peshën e përgjegjësisë në familje të gruas, në sytë e burrit.Të gjitha këto, në fakt, janë sfida të mëdha dhe janë të trashëguara, jo në kuptimin nga një qeveri apo nga disa qeveri, por në shumë vite dhe përgjigjja për to është një punë sa më gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar, sepse në këtë punë, asnjë Qeveri nuk mund ta fitojë dot sfidën vetëm. Është e pamundur që institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë për t’u përballur me këtë sfidë të mund t’ia dalin, në rast se shoqëria nuk përfshihet në përpjekjen e përbashkët për t’u përballur me një fenomen të trashëguar dhe fatkeqësisht, të rrënjosur në një zonë të kulturës sonë të bashkëjetesës.