Zbulohet një tjetër skandal i qeverisë. Një ditë pas lajmit se vëllai i deputetit të Kavajë Parid Cara kishte blerë tokën publike për varrezë private, sot Partia Demokratike denoncon një tjetër fakt. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma deklaroi se, këtë herë qeveria Rama ka marrë me qira godinën e deputetit Rakip Suli, për të çuar aty zyrat e OSHEE-së.
“Ne kemi denoncuar me prova e me fakte, tenderat, koncesionet, milionat e shpërndara nga Edi Rama në rrethin e tij të ngushtë.
Ja cilin shtet përfaqëson Edi Rama: Shtetin, ku OSHEE, pasi ka dhënë 5 miliardë lekë për carapulin ndërtuesin e sarajeve të Ramës, 970 milionë për Sadri Abazin, 850 milionë për Safet Gjicin, 340 milionë për Pjerin Ndreun, ka menduar edhe për një deputet tjetër të Ramës, Rakip Sulin. Do marrë edhe ai hisen e tij, sepse me porosi të Ramës, godina që ka në autostradën Tiranë-Durrës, Aurora Grup, është marrë me qira nga OSHEE. Për një kat në këtë godinë, Rakip Suli, deputeti merr nga OSHEE miliona lekë në muaj. Ndërkohë që banda e hajdutëve të Ramës, që vazhdon t’u marrë jetën qytetarëve e kryefamiljarëve, se nuk kanë mundësi të paguajnë e janë në errësirë në këtë dimër të ftohtë, ka vendosur të trefishojë shpërblimin për deputetin e Ramës, pasi po i merr dhe dy katet e tjera me qira”, tha Duma.
OSHEE reagon: Qiraja e ulët
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar pas deklaratave të Partisë Demokratike, duke i quajtur shpifje. Sipas OSHEE- qiraja që paguan për mjediset ku është vendosur arkiva e kompanisë është relativisht e ulët me të bizneseve të tjera. “Sa për një krahasim informojmë se ndërkohë që kompani të njohura bankash, telekomunikacioni, etj paguajnë deri në 10 euro metri katror, OSHEE paguan një qira shumë më të ulët prej afro 3.5 euro”, thuhet në delaratë.