Prej vitit 2018, kush ndërton më shumë se 2000 m² është i detyruar të dhurojë 3% të sipërfaqes për banesa sociale. Ligji i jep mundësi ndërtuesve që 3% e strehimit social ta japin në vendin ku ndërtojnë ose diku tjetër. Por kryeministri Edi Rama e cilësonte të padrejtë mundësinë e dyte. Vitin e kaluar, Rama deklaroi se 3% i strehimit social do të jepej vetëm aty ku ndërtohej. Verifikimet tregojnë se angazhimi i Ramës nuk u përmbush, ndonëse ligji u ndryshua.
Gjashtë vite më parë socialistët miratuannë Kuvend ligjin për ‘Strehimin Social’. Për çdo ndërtim me qëllim banimi mbi 2000 m2, 3% e sipërfaqes duhet të jepet për banesa sociale – përcakton ligji, i kundërshtuar që në krye të herës nga ndërtuesit.
Këta të fundit kanë dy mundësi: 3% të sipërfaqes së kërkuar për banesa sociale ta japin në vendin ku po ndërtojnë, ose në rast pamundësie, ta japin diku tjetër.
Por kryeministri Edi Rama e vlerësonte si të padrejtë alternativën e dytë. Sipas tij, 3% për strehim social duhej dhënë në objektin ku po ndërtohej.
“Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet.”, deklaronteRama vjet, duke premtuar rishikimin e ligjit në këtë pikë.
“Ne do ta shikojmë këtë që 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe.”, theksonte kryeminsitri tetorin e shkuar.
Çfarë ndodhi?
Vitin e kaluar ligji për ‘Strehimin Social’ pësoi disa ndryshime, një prej të cilave prekte nenin 19 – që përcakton konributin e sektorit privat në krijimin e fondit publik për banesat sociale.
Ndryshimet vendosën se rregullat e zbatimit të këtij kontributi do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
VKM-ja, e miratuar shtatë muaj pasi kryeministri deklaroi se 3% duhej dhënë në vendin ku ndërtohej, e la të pandryshuar mundësinë e shlyerjes së 3% të sipërfaqes fizike edhe diku tjetër- jo domosdoshmërisht aty ku ndërtohet.
‘…në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi,’- shkruhet ndër të tjera në VKM.
Por nuk mbaron me kaq. Vendimi krijoi një mundësi tjetër për ndërtuesit duke lejuar kalimin e sipërfaqes 3% në vlerë leku dhe jo ndërtim, praktikë kjo e ndjekur nga Bashkia e Tiranës prej pesë vitesh.
Në vitin 2019, përmes një vendimi të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës modifikoi mënyrën e vjeljes së taksës, duke i dhënë mundësi ndërtuesve ta konvertonin 3% e sipërfaqes fizike të objektit në vlerë monetare.
‘Në rast se sipërfaqja takuese në favor të Bashkisë Tiranë sipas parashikimeve të këtij vendimi, ofrohet nga zhvilluesi privat që të paguhet në vlerë leku, konvertimi i sipërfaqes përllogaritet duke shumëzuar sipërfaqen takuese me vlerën e referencës të banesave në zonën për të cilën ka aplikuar për leje ndërtimi, sipas përcaktimit të bërë me udhëzim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.’
Përfundim
Ndryshe nga sa deklaroi Rama, ndërtuesit sërish kanë mundësinë e shlyerjes së 3% për strehimin social në vendin ku ndërtojnë ose diku tjetër. Madje, qeveria tashmë legjitimon edhe konvertimin e sipërfaqes së kërkuar në lekë- praktikë e ndjekur prej pesë vitesh nga Bashkia e Tiranës. Ndaj, nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se 3% për strehimin social të jepet aty ku ndërtohet do ta kategorizojmë të pavërtetë. /Faktoje.al