DURRES, 13 mars 2013 – Partia Socialiste prezantoi sot në qytetin e Durrësit programin e saj elektoral për Artin dhe Kulturën. Në fillim të takimit publicisti dhe ish drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Artan Lame, pasi vuri theksin në dëmin që i është shkaktuar kësaj trashëgime gjatë qeverisjes së mazhorancës nënvizoi në veçanti dy dëme që i janë bërë Durrësit: ndërtimi i portit të peshkimit në “hundën” e qytetit dhe ndërtimi i autostradës me 4 korsi Plepa – Rrogozhinë, e cila e ka izoluar tërësisht zonën turistike.

Lame tha se në programin e socialistëve është parashikuar ndërtimi i një korridori të kaltër, që do të jetë në funksion të zhvillimit turistik të vendit dhe një korridor i gjelbërt që do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik. Ai nënvizoi se mungesa e vëmendjes së mazhorancës dhe Ministrisë së Kulturës për Durrësin dhe pasuritë e tij arkeologjike dëshmohet më së miri me mosfunksionimin e muzeut arkeologjik të qytetit që prej mëse 2 vjetësh qëndron i mbyllur për shkak të rikonstruksionit të pambarimtë.

Më tej deputetët e Partisë Socialiste Auron Tare dhe Luiza Xhuvani u ndalën konkretisht në pika të caktuara të programit të selisë rozë, veçanërisht në projektet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe shfrytëzimin e saj në drejtim të thithjes së sa më shumë turistëve të huaj si dhe në mbështetjen e projekteve artistike dhe artistëve, të cilët janë braktisur në këto vite.

Më pas fjalën e mori kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili u ndal në atë që e quajti pirateri dhe barbari ndaj trashëgimisë kulturore dhe mungesë aspiratash të kësaj qeverie për ta kthyer këtë pasuri të çmuar për vendin në dobi të qytetarëve shqiptarë dhe promovim të vlerave të kombit tonë.   

“Ne nuk jemi kaq të pasur sa të lëmë pas dore monumentet e mëdha, por nuk ka gjë më të rëndë për një vend se varfëria e aspiratave. Ky vend nuk do ketë ndonjë qeveri më të varfër në aspirata se kjo që qeveris. Është me rëndësi që atë flamur dhe shqiponjë ta mbash lart, pasi nuk zhvillohet përmes klithmave nacionaliste, por përmes një vizioni ku rrugët e zhvillimit garantojnë trashëgiminë kulturore kalojnë nga brezi në brez një thesar vlerash kulturore, të cilat kanë ardhur në këto 20 vjet të dëmtuara a thua se Shqipëria ka qenë pre e sulmeve më barbare të globit. Këto 20 vite nuk ka pasur pushtime barbare, por politikë shqiptare për Shqipërinë dhe është kjo politikë që e ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të këtij thesari që nuk e kanë shkatërruar as piratët edhe barbarët”,- tha Rama.

Në të njëjtën kohë kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se me ardhjen në pushtet të të majtës, paratë që do të përfitohen nga Lotaria Kombëtare do të shkojnë për financimin e projekteve kulturore dhe atyre në dobi të rinisë shqiptare.

Në takim e mori fjalën edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili deklaroi se projekti i prezantuar gjatë fushatës zgjedhore për pushtetin lokal për krijimin e një parku arkeologjik në Durrës, që të përfshijë vizita në objektet arkeologjike dhe historike më të rëndësishme të qytetit dhe projekti për rivitalizimin e amfiteatrit të Durrësit do të bëhet realitet vetëm pas 23 qershorit, sepse siç theksoi Dako “me këtë qeveri që kemi në pushtet nuk është e mundur të realizosh projekte në funksion të zhvillimit turistik dhe ekonomik të Durrësit”.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/