·      Këmbëngulja serbe për të shmangur vizitën e Ramës ka të bëjë me trysninë ruse pasi turit të Putinit dhe faktorit të brendshëm në Serbi, që kishte aktivizuar dhe kolonën e saj të pestë (quinta columna) në Tiranë në radhët e politikës, thanë për “Dyrrah”-un burime diplomatike në Tiranë

DURRËS, 19 tetor 2014 –  Në pasditen e fundjavës, të dielën, më 19 tetor 2014, me “hostenin” e senatorit amerikan Kris Mërfi (Chris Murphy), shefi i ekzekutivit të Beogradit, Aleksandër Vuçiç, u detyrua të njoftojë se do të presë homologun e Tiranës, Edi Rama, me ndryshimin që vizita të shtyhet me 18 ditë, më 10 nëntor 2014.

Në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë shqiptare thoshte se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën pasditen e 19 tetorit 2014 një bisedë telefonike, ku pala serbe vendosi ta presë Ramën, jo më 22 tetor 2014, por 18 ditë më vonë, më 10 nëntor 2014..

Bie në sy fakti që zyra e z. Rama është kujdesur të nxjerrë në pah faktin se edhe pse u ra “dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri ishin tejet të padëshiruara”, gjithsesi, “mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi” në stadium në ndeshjen e futbollit Serbi-Shëipëri.

Pastaj vazhdon retorika se “ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Evropës si e tërë”.

Kurse senatori amerikan Kris Mërfi deklaroi nga Tirana, më 19 tetor 2014 paradite: “Isha në Beograd ditën e ndeshjes. Besoj se nuk duhet ta lëmë huliganizmin e futbollin të hyje mes marrëdhënieve. Këtë mesazh ia kam përcjellë edhe Vuçiçit dhe shpresoj që nesër ai ta rikonfirmojë ftesën për kryeministrin Rama”.

Në fakt, këtë vizitë të planifikuar, por të shtyrë, Vuçiçi e konfirmoi pasditen e 19 tetorit 2014.

Pasi nuk arriti dot t’i arrestojë të vëllanë, Olsin, kryeministri serb do t’i japë dorën Edit, do t’i ngrejë flamurin shqiptar që ia dogji në stadium dhe nuk do t’ia fishkëllejë himnin kombëtar!

Këmbëngulja serbe për të shmangur vizitën e Ramës ka të bëjë me trysninë ruse pasi turit të kreut të Kremlinit Vladimir Putin dhe faktorit të brendshëm në Serbi, që kishte aktivizuar dhe kolonën e saj të pestë (quinta columna) në Tiranë në radhët e politikës, thanë për “Dyrrah”-un burime diplomatike në Tiranë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/