BERAT, 6 tetor 2013 – Qeveria  do të marrë masa konkrete për të parandaluar rrënimin e qyteteve historike. Duke nisur që këtë javë, do të bllokohen dhe ndalohen ndërtimet e reja në Berat e Gjiokastër për të vlerësuar trashëgiminë dhe për të kuruar çdo plagë që i është shkaktuar trashëgimisë në gjithë këto vite rrënimi. Kështu us hpreh kryeministri Edi Rama nga Berati, ku ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e pedonalen e qytetit të Beratit.

“Unë jam krenar për punën që bëri Fondacioni, respektin për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, për vlerat e kërcënuara të zhduken para syve tanë dhe për atë që Berati ka përfaquar në histori dhe kjo është vlera më e madhe e këtij projekti. Në këtë frymë të këtij respekti, qeveria jonë do të marrë masa konkrete për të parandaluar rrënimin. Që këtë javë ne do të shpallin bllokimin dhe ndalimin e çdo ndërtimi të ri në Berat e Gjiokastër për të vlerësuar së pari trashëgiminë dhe pastaj për ta kuruar çdo plagë që i është shkaktuar trashëgimisë në gjithë këto vite rrënimi”, tha Rama.

Duke u ndalur tek projekti për qytetin e Beratit, Rama tha se “ky projekt është si dallëndyshja e parë dhe unë jam i kënaqur që ky projekt lindi pikërisht këtu. Ky është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor për Beratin dhe projekti, që përfshin gjithë rrugën kryesore që do të kthehet në rrugë këmbësore të denjë për këtë vatër të trashëgimisë kulturore, që përfshin edhe sheshin e rindërtuar të një qyteti të së shkuarës dhe jeton me atë ardhmen, do të zgjerohet me lulishten buzë lumit dhe vepra të tjera, për të cilat Qeveria dhe bashkia do të investojmë me të gjitha fuqitë. Kjo, në mënyrë që Berati pas katër vjetër të jetë qyteti i ëndrrave që prindërit kanë për fëmijët e tyre, që Berati të jetojë me sipërmarrjet e veta të vogla, duke përfituar nga trashëgimia kulturore, por edhe nga shërbimet cilësore” .