DURRËS, 1 prill 2014 – Dita Ndërkombëtare e Gënjeshtrave paska qenë ditë e një përkrahjeje reale për Kryeministrin 6-mujor të Shqipërisë, pasi ai është pritur me shumë përzemërsi në Berlin.
Iu dha fjala se një nga gratë më të fuqishme të planetit do të vinte në Tiranë me ftesë të Kryeministrit të vendit ballkanik.
Për votën pro në BE, Merkeli tha gjithçka do të varet nga raporti i Komisionit Europian.
Por iu shefit të qeverisë socialiste iu kërkuan garanci dhe për koncesionet gjermane në Shqipëri, për të cilat Rama i dha besën se nuk do t’i ngiste.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar, më 1 prill 2014, një vizitë zyrtare në Berlin me ftesë të Kancelares Angela Merkel.
Kjo e fundit kishte rezervuar për kryeministrin e Shqipërisë një pritje të nivelit më të lartë protokollar.
Në orën 12.00, Kryeministri Rama u prit nga kancelarja Merkel, ku pati dhe një ceremoni të nderimit ushtarak.
Pas takimit, Rama dhe Merkeli kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku theksi kryesor ishte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë.
Angela Merkel:
“Do të ketë një qasje pozitive, por gjithçka do të varet nga raporti i Komisionit Europian. Çështja nuk shtrohet nëse Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por pyetja do të jetë vetëm se kur. Ne i trajtojmë vendet në bazë të raportit të Komisionit Europian. Në qershor do të marrim një raport të ri. Komisioni do t’i ketë regjistruar përparimet në Shqipëri dhe ne do t’i shikojmë me vështrim pozitiv dhe do të vendosimme vështrim pozitiv. Pra, varet nga raportet që do të na vijnë.
Jemi të mendimit se perspektiva europiane është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë. Kryeministrin e informoj se cilat janë projektet e mëdha të vendit dhe na njohu me entuziazmin që po ndiqen këto projekte. Lufta kundër krimit dhe korrupsioni, pavarësia e gjyqësorit, shteti ligjor, janë standarde shumë të rëndësishme për t’u arritur. Komisioni Europian po i ndjek këto procese dhe do të paraqesë një raport, ndërkohë ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet. I uroj suksese Kryeministrit në punën e tij të vështirë, sepse unë e di që nuk është e lehtë të realizohen këto projekte”.
Edi Rama:
“Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë gjithçka ditë pas dite, që të meritojmë atë respekt dhe të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë dhe që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e Kancelares, me ndihmën e gjithë partnerëve tanë europianë, ne do të mund t’ia japim duke bërë si duhet gjithë detyrat tona në një proces që nuk është i shkurtër, është një instrument i jashtëzakonshëm për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë.
E sigurova Kancelaren se Qeveria jonë është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke konsideruar gjithmonë Europën destinacionin brenda nesh dhe integrimin europian një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit tonë”.
Vizita e Kancelares në Tiranë
Kancelarja gjermane njoftoi se është ftuar për një vizitë në Shqipëri, të cilën do ta realizojë brenda vitit, por pa dhënë një datë të saktë se kur.
Merkeli theksoi se theksoi lufta kundër krimit dhe korrupsioni, pavarësia e gjyqësor, shteti ligjor janë standarde shumë të rëndësishme për t’u arritur dhe se KE i sheh me vëmendje këto procese.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen gjermane, theksoi se në takimin me Merkelin foli lidhur me ecurinë e punëve të Shqipërisë dhe rolin e saj për ta çuar më tutje projektin e madh të integrimit Europian.
Berlini: Duam garanci për koncesionet
Bashkëpunimi ekonomik ka qenë pjesë e diskutimeve mes Kryeministrit Rama dhe zonjës Merkel.
E pyetur, se si do të jenë dhe sa do të jenë të pranishme investimet gjermane në Shqipëri, Merkeli shprehu gatishmërinë e plotë që investimet gjermane të jenë sa më shumë të pranishme në Shqipëri, por investimet gjermane, – tha ajo, – kërkojnë një drejtësi funksionuese.
Për këtë pikë, mori garanci nga Rama, i cili tha se Qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të garantuar investimet e huaja dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.
Rama u takua edhe me përfaqësues të ‘Deutsche Bank’, ku fokusi ishte shtrirja e investimeve të tyre edhe në Shqipëri.
Bashkëpunimi ekonomik është diskutuar mes tyre për projekte afatshkurtra dhe afatgjata në vendin tonë.
Etj. etj.
Rama është pritur edhe nga kryetari i parlamentit gjerman, ku zhvillimet në Shqipëri, në kuadër të testit të qershorit, për statusin e vendit kandidat ishin në fokus të këtij takimi të kreut të Qeverisë shqiptare.
Takimet do të vijojnë pasdite në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit gjerman, ku Kryeministrit Edi Rama i është rezervuar edhe një fjalë përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm. Dhe me këtë takim të pasdites së vonë, mbyllet edhe kjo vizitë, më e rëndësishmja e kreut të qeverisë shqiptare në 6 muajt e parë të qeverisjes së tij.
Për statusin e vendit kandidat, Rama do të udhëtojë drejt Bruksel ku do të takohet me Komisionerin Stefan Fyle.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





