Kohët e fundit kryeministri Edi Rama po përsërit vazhdimisht akuzat ndaj Donald Trump, kandidatit që kërkon votën e republikanëve për të garuar për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ndodhur aty, Rama po e përsërit në çdo takim se “zgjedhja e Trump do të jetë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara”. Në një intervistë për gazetarin e njohur të CNN, Richard Quest Rama tha se “deklaratat që dëgjohen kohët e fundit nga Trump janë frikësuese”, citon lapsi.al.
Por në këtë pikë ka ndërhyrë, gazetari i njohur duke i tërhequr vëmendjen se kishte dalë nga gjuha e zakonshme diplomatike duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër.
Rama u përgjigj se nuk po flet për zgjedhjet e një vendi tjetër, por sipas tij është duke përsëritur atë që kanë thënë edhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europian.
Quest e pyet se nëse Trump do të fitojë nominimin dhe më pas edhe garën për Shtëpinë e Bardhë, a ndihet i frikësuar Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare thotë se zgjedhja e Trump është një kërcënim së pari për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i këshillon Donald Trump të udhëtojë më shumë për të njohur myslimanët.





