DURRËS, 3 nëntor 2014 –  “Me besimin se përmirësimi i qyteteve është një proces që do të intensifikohet vit pas viti, se rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh, do të sjellë rezultate të dukshme”, vuri në dukje, në fjalën e mbajtur në Forumin e parë ndërkombëtar në Shqipëri mbi “Qytetin inteligjent” (Smart City),  ditën e parë të punimeve, më 3 nëntor 2014, Kryeministri Edi Rama.

Për kreun e Ekzekutivit “në thelbin e përpjekjes për krijimin e qyteteve inteligjente qëndron procesi i ristrukturimit të zhvillimit urban sa kreativ aq edhe të qëndrueshëm”.

Mes të tjerave, shefi i qeverisë, që ka nën patronazh këtë Forum, tha:

“Në një hark 20-vjeçar, zhvillimi i paqëndrueshëm ka lënë pasoja negative në shumë aspekte të jetës ekonomike të vendit, duke cunguar dhe dëmtuar burimet e mirëfillta të zhvillimit të qëndrueshëm. Në thelbin e këtij procesi qëndron procesi i një ristrukturimi të zhvillimit urban të atillë që të jetë nga njëra anë kreativ, por dhe nga ana tjetër i qëndrueshëm. Ajo që na ka ndodhur në këtë hark 20-vjeçar ka qenë e kundërta. Kemi pasur zhvillim padyshim, por zhvillimi ka qenë i karakterizuar nga një paqëndrueshmëri, pasoja që sot ndihen gjithmonë e më tepër posaçërisht në të gjitha burimet natyrore, sepse nëse një nga burimet më të mëdha të rritjes në 20 vite ka qenë ndërtimi.

Nëse përmes këtij burimi rritjeje ka përfituar ekonomia e ditës dhe ka përfituar familja shqiptare në tërësi sepse sot shqiptarët kanë shumë më tepër metra katrorë në dispozicion për të jetuar apo për të zhvilluar aktivitet të natyrave të ndryshme, po të shohim koston e shfrytëzimit të këtij burimi rritjeje jemi përpara një panorame jashtëzakonisht tronditëse.

Sa shumë pyje kemi humbur. Sa shumë territore tokash bujqësore shumë të vlefshme kemi humbur. Sa shumë kemi humbur në peizazhin tonë si një nga burimet e rëndësishme të rritjes së qëndrueshme në vetvete dhe sa shumë kemi humbur në të gjithë ekosistemin e vendit tonë.

Mjafton t’i hedhim një sy dëmit që është shkaktuar në shtretërit  e lumenjve dhe gërryerjes që i është bërë shtretërve të lumenjve për pasojë pastaj ndikimin në një proces eroziv që e shohim, që shfaqet gjithmonë e  më tepër në formën  e përmbytjeve, rrëshqitjeve e kështu me radhë për të kuptuar se kemi humbur jo vetëm kohë, por kemi humbur dhe një pjesë të rëndësishme të këtij potenciali të madh. Por, njëkohësisht jemi në kohë për të mos lejuar rrëshqitjen e mëtejshme në një rrugë të zhvillimit të paqëndrueshëm dhe për t’i dhënë qëndrueshmëri zhvillimit.

Në projektin e financimeve për vitin e ardhshëm është përcaktuar volumi më i madh i parashikuar ndonjëherë i financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, ndërsa theksoi se zëri i infrastrukturës digjitale do të jetë çdo vit e më i fuqishëm, ndër zërat e investimeve publike.

Sigurisht që jemi me fat që jetojmë në një moment të historisë së zhvillimit njerëzor ku të gjithë hendeqet e mëdha të trashëguara nga e shkuara mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, mund të ngushtohen me shumë më tepër shpejtësi se më parë falë inovacionit, falë sistemeve inteligjente. Kjo është arsyeja pse në projektin e financimeve për vitin e ardhshëm ne kemi përcaktuar volumin më të madh të bërë ndonjëherë të financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, duke  e konsideruar këtë pjesë si pjesë të investimit në infrastrukturën në tërësi.

Nëse kemi një domosdoshmëri të madhe dhe një volum të madh të të ardhurave, ne i drejtojmë tek infrastruktura e jetës së përditshme që na mundëson lëvizjen, komunikimin, ndërveprimin fizik, zëri i infrastrukturës digjitale do të jetë çdo vit e më i fuqishëm, ndër zërat e investimeve tona publike.

Me besimin se përmirësimi i qyteteve është një proces që do të intensifikohet vit pas viti, se rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh, do të sjellë rezultate të dukshme.

Nga ana tjetër besoj se përmirësimi i qyteteve që është një proces që ka nisur këtë vit dhe do të intensifikohet më shumë vitin e ardhshëm dhe vitet që vijnë është një rrugë e sigurt për t’i dhënë qëndrueshmëri dhe kohezion zhvillimit në kushtet kur kemi trashëguar një sistem si një rrjet të prishur merimange në aspektin e investimeve publike në infrastrukturë dhe në ndërlidhjen e zonave të ndryshme urbane dhe zonave të ndryshme të banimit dhe në lëvizshmërinë në tërësi në territorin e Republikës sonë.

Rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh, jam i bindur se do të na sjellë rezultate të dukshme.

Për numër konferencash, për numër strategjish, për numër ligjesh, për numër platformash, për numër forumesh, për numër seminaresh, workshop-esh etj, ne sigurisht lëmë pas një numër të konsiderueshëm vendesh të Bashkimit Evropian. Padyshim, në këtë aspekt jemi përpara Gjermanisë.

Nuk janë ligjet që sigurisht do t’i bëjmë, por është zbatueshmëria e tyre dhe është procesi i ndërveprimit që është sfida jonë e madhe”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/