Duke ftuar sa më shumë shqiptarë t’i bashkohen Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit të mbajtur sot në Durrës me rastin e anëtarësimeve të reja në parti, u ndal edhe në situatën e rendit, që në këto kohë ka tronditur mbarë vendin.

Rama tha që nuk ka vend në botë që nuk ndodhin krime, duke marrë shembull edhe Gjermaninë, ku natën e ndërrimit të viteve u përdhunuan mbi 60 vajza.

“Ku nuk ndodhin krime, në vendin më të sigurt të Evropës, në sheshin më të sigurt natën e Vitit të Ri u deklaruan mbi 60 vajza të përdhunuara, për të mos folur për p;ot e plot raste të tjera. Çfarë dua të them me këtë është shumë e lehtë, por shumë e turpshme dhe mendjelehtë që pas çdo krimi që ndodh, të çohesh dhe të baltosësh Policinë e Shtetit sepse njerëzit nuk janë aq mendjelehtë sa politika i ka kujtuar dhe njerëzit dinë shumë mirë ta bëjnë dallimin”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë e bërë nga qyteti i Durrësit, vjen pas 2 krimeve që tronditën mbarë vendin në një hark kohor shumë të shkurtër, vrasjes së Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt më 20 dhjetor 2015 pranë Torrës, dhe rrëmbimit e ekzekutimit makabër të Gazmend Çollakut më 6 janar.