Pas Lushnjës, kryeministri Edi Rama është ndalur në Fier, ku gjatë Asamblesë së PS ka vijuar kritikat ndaj opozitës dhe qëndrimeve të saj. Sipas tij, qeveria vijon të punojë dhe ekonomia po rritet, ndërsa opozita merret me, siç u shpreh ai, “fushatë shpifjesh dhe balte”.

“Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e cila do ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Kundër nesh hidhet baltë, sikundër dhe ndaj vendit tonë. Ne jemi pranë atyre njerëzve që punojnë, që shërbejnë dhe kështu me radhë. Ne duhet t’i japim jetë organizatës së Partisë Socialiste. Janë bërë shumë punë dhe janë arritur shumë rezultate. Sot ne, duke qenë se ekonomia është rritur, kemi mundësi që të indeksojmë pagat dhe pensionet. Sot njihet vjetërsia e punës… Rritje pensioni do ketë çdo vit. Ajo që dëgjoni ju të tërë, unë në fakt nuk është se nuk dëgjoj, por kam fituar ca karakteristika nga halli që shumë pak më mbeten në vesh, se më hyjnë nga njëri vesh dhe më dalin nga tjetri kur i dëgjoj. Por shumë njerëz shqetësohen kur dëgjojnë nga mëngjesi deri në darkë, korrupsioni, korrupsioni… Sa më shumë ata flasin për keq aq më shumë ne fitojmë. Sa më shumë ata akuzojnë, aq më shumë ne fitojmë. Sa më shumë ata shpifin, sa më shumë ata rrokanisin kokën e këtij populli aq më shumë ne fitojmë”, tha Rama.

Ai foli edhe për korrupsionin, duke thënë se matjet bëhen me perceptim.

“Flasin për korrupsionin, duke thënë se është rritur si asnjëherë më parë. Si ka mundësi që korrupsioni qenka rritur ‘ku nuk mban’, sipas tyre, dhe ndërkohë rriten pagat, rriten pensionet, rriten investimet. Investimet e huaja nga 400 milionë euro në vit shkuan në 1.6 miliardë vitin e kaluar. Si ka mundësi që të ardhurat në buxhet janë rritur? Kur rritet korrupsioni duhet të ulen këto? Nuk është e mundur”, deklaroi Rama.

Ai u shpreh se PPP-të dhe prokurimet publike, sipas raporteve ndërkombëtare, janë në standardet e mesatares së BE-së dhe në disa raste edhe më lart. Po ashtu, tha se drejtësia është rezultat i reformës në drejtësi.

“Në Shqipëri nuk e bën ligjin korrupsioni dhe nuk dikton korrupsioni. Mund të përballem me këdo, por me fakte jo me perceptime dhe gjyqe publike”, u shpreh kryeministri.

Rama foli edhe për procesin e anëtarësimit në BE si dhe për procesin e brendshëm organizativ të PS-së, duke theksuar komunikimin me bazën dhe përgatitjet për zgjedhjet e brendshme dhe aktivitetet e ardhshme politike.