Kryeministri Edi Rama, në një takim sot me mësuesit deklaroi se 190 mijë nxënës do të përfitojnë nga nisma e re e qeverisë për të marrë librat falas deri në klasën e katërt ndërsa tha se synimi është që në fund të mandatit qeverisës, të jepen falas të gjitha librat deri në klasën e 9-të.
Kreu i qeverisë pohoi gjithashtu se disa prej librave janë shtrenjtuar, por kjo ka ndodhur për shkak se janë produkte më cilësore. Tashmë sfida e Ministrisë së Arsimit është që të shpërndajë në kohë librat falas deri në fillimin e sezonit shkollor, theksoi Rama.
"Disa thonë që librat janë shtrenjtuar. Po, disa libra janë më të shtrenjtë seç ishin sepse janë produkte cilësore. Ajo që duam është që deri në fund të mandatit ti bëjmë falas deri në klasë të nëntë. Janë 10 mijë nxënës këtë vit që hyjnë në mjedise tërësisht të rindërtuara. Ka akoma mjedise për t’u rindërtuar. Këtë vit ka një tjetër numër shkollash që kanë hyrë në procesin e rindërtimit por ajo që është më e rëndësishme dhe realisht krenaria e punës sonë, është fakti që çdo vit në shkolla po hyjnë gjithnjë e më shumë mësues sipas meritës. Kjo është kryesorja. Politika ka dalë nga shkolla dhe merita ka hyrë në shkollë. Sidoqoftë për t’u kthyer edhe njëherë po tek arsyeja kryesore pse jemi këtu është rëndësishme që i gjithë komuniteti i arsimit që nga Ministria e Arsimit tek drejtoritë, që dhe ato tani do të hyjnë në një fazë reformimi, tek drejtoritë e shkollave dhe mësuesit të bëjmë detyrën për t’i dhënë në kohë të gjithë librat falas për fëmijët", deklaroi Rama.





