Kryeministri Edi Rama është shprehur nga Vlora këtë të enjte se qëllimi i qeverisë është që në fund të mandatit të tretë të jenë ndërtuar 4 aeroporte.
Ndër të tjera, ai është shprehur se së shpejti do të fillojnë punimet për aeroportin e Vlorës, që do të sjellë dhe uljen e çmimeve të biletave për të gjithë udhëtarët.
“Porti i ri do të sjellë turistë me jahte dhe do t’i sjellë Vlorës shumë të ardhura. Mbi 1500 personel i ekuipazheve të tyre do të jetojnë këtu, një vlerë e shtuar dhe për ekonominë. Nga ana tjetër, vazhdimi i investimeve që janë në proces kompesohet me aeroportin e Vlorës ku ka dalë kompania fituese dhe po negociohet kontrata dhe brenda tre javës unë kam besim që do të nisë dhe punë. Aeroporti i Vlorës është një hall i zgjidhur dhe që u bllokua për shkak të pandemisë, është një garanci që ekonomia e Vlorës do të ndryshojë dhe do të shkojë në një nivel tjetër. Pasi dihet se një euro e investuar në një aeroport kthehet në një ekonomi ku fitohet si një kontribut i drejtpërdrejtë në infrastrukturë.
Nëse kemi një investim që parashikohet me 125 milionë euro, shumëzojeni me 23 dhe do të shikoni dhe impaktin. Do të hapim garën për aeroportin e Sarandës dhe në përfundim të mandatit të tretë ne synojmë që të kemi 4 aeroporte. Aeroporti i Kukësit është gati për pak javë dhe do ti duhet që vetëm të marrë dokumentet e certifikimit ndërkombëtar. Do të vijojmë punimet për zgjatjen e pistës në aeroportin e Rinasit dhe do të ulim çmimet”, – tha Rama.





