Kryeministri Edi Rama, i ftuar në rolin e lektorit në Kolegjin e Europës në Bryzh, Belgjikë, i është drejtuar auditorit me temë “Të mbajmë gjallë Ëndrrën e Europës së Hapur”, ku ka folur mbi kuptimin e Bashkimit Europian dhe procesin e zgjerimit në pikëpamjen shqiptare dhe rajonale.
“BE është fuqia transformuese e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në vendet e rajonit tonë, edhe pse ne nuk jemi ende pjesë e Bashkimit. Standardet e kriteret e BE-së janë katalizatori kryesor i reformave, të cilat udhëhiqen natyrisht, edhe nga vendosmëria jonë për t'iu bashkuar familjes europiane. Pa mekanizmin e integrimit në BE, do të ishte absolutisht e pamundur të mbaheshin të gjitha këto vende në rrugën ku ata janë duke u mbajtur dhe për të nxitur reformat për modernizimin.”
Procesi i integrimit është një mjet unik për një vend si Shqipëria dhe për ish-vendet komuniste në përgjithësi, për t’u demokratizuar dhe modernizuar. Për këtë, kryeministri tha se nuk është çështja se kur do të mundemi të gjithë të vijmë në Bruksel, por se kur do të mundemi të jemi pjesë normale e familjes europiane, ndaj hapja e bisedimeve nuk përbën anëtarësi, nuk ka detyrime shtesë për BE-në, teksa për ne është thelbësore, bën të mundur mbajtjen e vendit dhe shoqërisë në rrugën e duhur.
Në kontekstin e reformave integruese, Rama veçoi reformën në drejtësi. “Tani jemi në fazën e parë të finalizimit të reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias është i pranuar nga të gjithë si një këshilltar mbi palët, ndaj jam besimplotë që do të kalojmë pengesat.”
I pyetur sa ndikon atmosfera rreth myslimanëve sot në Europë në procesin e integrimit, kryeministri theksoi se të tilla qëndrime lidhen më shumë me mosdijen dhe mungesën e njohurive mbi besimin fetar.
Kryeministri u ndal edhe në atë që e quan paradoks, mosdhënien ende të së drejtës për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Kosovë.
“Qytetarët në Kosovë, sot nuk mund të lëvizin të lirë, ndërsa ironikisht, në kohën kur ishin një komunitet i margjinalizuar në Jugosllavi, mund të lëviznin pa probleme. Ata janë shteti i vetëm në Europë që kanë ende nevojë për viza. Ky është një paradoks i tmerrshëm për ta. Kjo i bën të ndihen në kurth në shtetin e tyre të pavarur dhe kjo ngjan si një tradhti nga ana e Europës, në këndvështrimin e njerëzve të thjeshtë.”





