Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një konferencë të zhvilluar në Luksemburg, ku ishte i pranishëm bashkë me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski — vend që mban Presidencën e radhës së Këshillit të BE-së — si dhe me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Rama u ndal te përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se ekipi që punon për grupkapitullin 2 është i pranishëm në konferencë dhe se vendi është i angazhuar maksimalisht.

“Ne e kemi mësuar në kurriz që me BE-në nuk duhet të kërkosh një datë, por të presësh që ajo të vijë. Jemi këtu për të shkuar drejt një takimi real me Bashkimin Europian,” u shpreh Rama.

Gjatë konferencës, kryeministri bëri edhe disa batuta me një gazetare që i drejtoi pyetjen në anglisht, duke e quajtur “ChatGPT belge”, dhe shtoi se për samitin e ardhshëm të BE-së më 16 maj në Tiranë, po përgatitet një nga takimet më të mëdha që ka pritur ndonjëherë vendi.

Rama shtoi se diskutimet me presidentin e BE-së ishin konstruktive dhe përfshinë analizën e situatës në rajon, ndërsa theksoi se ritmi i hapjes së kapitujve mbetet në dorën e Komisionit.

“Ne duhet të sigurohemi që gratë të jenë gjithmonë të lumtura, përndryshe nuk ka president apo mbret që të na mbrojë nga një shpullë në fytyrë. Kemi qenë pjesë e shumë perandorive, por kjo është ajo që po presim me padurim,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë që i jep integrimit në familjen evropiane.