Procesi i rindërtimit u kurorëzua me sukses edhe për qindra familje të fshatit Marikaj, të cilat nga sot do të strehohen në shtëpi edhe më të bukura, më të forta e më të sigurta se ato që humbën nga tërmeti pak vite më parë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot mes banorëve të zonës, ku u dorëzuan çelësat e 102 apartamenteve të reja në 6 pallate të rindërtuara nga themelet.

“Faleminderit për këtë mikpritje! Më vjen shumë mirë që u finalizua dhe ky projekt. Kemi pasur probleme siç mund ta dini me pronën, me histori pa fund të mbivendosjeve, por e rëndësishme është që kjo punë tani mbaroi dhe do të merrni shtëpitë më të mira se ato që kishit. Kjo është kryesorja. Do t’i merrni falas siç ju kemi premtuar, kështu që janë prona juaj. Mund ta mbani, mund ta jepni me qira, mund ta shisni. S’keni asnjë qindarkë, as kredi, as detyrim tjetër ndaj shtetit, kuptohet dritat do t’i paguani vetë. Nuk diskutohet”, iu drejtua Rama banorëve, teksa sugjeroi që zona e rindërtuar të pajiset sipas të gjitha standardeve të infrastrukturës me mjedise shplodhëse dhe argëtuese për komunitetin.