Kryeministri Edi Rama ishte ditën e sotme në Laç, ku pa nga afër procesin e vaksinimit masiv të të moshuarve.
Rama u shpreh se tashmë kanë arritur të sigurojnë sasinë e nevojshme, procesi për të vaksinuar masivisht me dozën e parë mund të përfundojë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
Rama tha gjithashtu se mund të vaksinojnë deri në 30 mijë në ditë.
“Tani që kem i siguruar sasitë, me 20 mijëshin e arritur dje jemi vetëm në fillim dhe mund të shkojmë lirshëm 30 mijë në ditë. Kjo do të thotë që në një kohë më të shpejtë seç e kishim parashikuar ne mund të bëjmë dozën e parë masivisht dhe të mbyllim pjesën vunerabël, pastaj pjesa tjetër na jep më shumë kohë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se procesi i vaksinimit po bëhet edhe në shtëpi për personat që nuk janë në gjendje të shkojnë në qendrat e vaksinimit.
“Në gjithë vendin, vetëm në dy ditët e parë janë kryer mbi 30 mijë vaksinime. Në total bashkë me dozat e dyta sot shkojmë në 100 mijë vaksine. Ajo që është e rëndësishme është që po vaksinojmë në fshat e qytet dhe kudo. Po vaksinojmë edhe në shtëpi për personat e pamundur”, u shpreh ministrja.





